×
  • Lajme
  • Lajme

    Mori mbi 300 mijë vota, Vjosa Osmani falënderon votuesit e saj

    Reporteri
    04 Mars 2021 | 20:29

    Drejtuesja e iniciativës “Guxo” dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, edhe zyrtarisht është njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura.


    Për këtë, Osmani ka reaguar pak minuta më parë, përmes një shkrimi në Facebook, ku tha se kjo fitore historike më së shumti i takon qytetarëve të Kosovës.

    “Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë me besim. Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm. Ishit e mbeteni fuqia jonë më e madhe, ata që na dhatë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira”, ka shkruar Osmani.

    Ajo nuk la pa falënderuar të gjithë 438 mijë e 334 votuesit e listës, siç e quan ajo, të referendumit.

    “Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për besimin tuaj, prandaj FALEMINDERIT pafundësisht të gjithë 438 mijë e 334 votuesve të listës sonë të referendumit. Zëri juaj kumboi fuqishëm si kurrë më parë.

    Nuk ka asgjë më të shenjtë e asnjë përgjegjësi më të rëndësishme se sa ky besim i marrë nga secili prej jush, prandaj do të punojmë që ta kthejmë atë në interes e zhvillim të vendit duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi ynë në këtë drejtim”, ka shkruar Osmani.

    Osmani pas ndarjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka krijuar listën e saj “Guxo” me të cilën ka garuar edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit si pjesë e listës së Vetëvendosjes.

    Ajo ka arritur që bashkë me kandidatët e saj për deputetë të fitojë 7 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!