×
  • Lajme
  • Lajme

    MPB zgjat orarin e lëvizjes për votuesit e stafin e KQZ-së në zgjedhje lokale

    Reporteri
    28 Nëntor 2020 | 20:00

    Derisa deri të premten, vendimi për kufizimin e lëvizjes është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, këtë të shtunë, një të tillë e ka marrë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.


    Një ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, nga MPB-ja është bërë e ditur se të dielën qytetarët e këtyre dy komunave mund të lëvizin deri në orën 22:00, transmeton KOHA.

    Kjo edhe përkundër që të dy komunat bëjnë pjesë në zonën e kuqe, e që sipas vendimit të MSh-së, është e ndaluar lëvizja pas orës 19:00.

    “Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z.Agim Veliu, ka marrë vendim për: Lejimin e lëvizjes hyrje-dalje në të gjitha zonat e ndaluara për qarkullim, për shkak të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, gjatë orarit 19:00 deri në orën 22:00 për votuesit në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të realizimit të së drejtës së tyre për votim. Liria e lëvizjes sipas pikës 1 të këtij Vendimi lejohet vetëm me datë 29.11.2020, dhe vlen vetëm për ata votues që të drejtën për votim e kanë realizuar pas orës 19:00, sipas rregullave dhe legjislacionit në fuqi. Po ashtu, është marrë vendim për lejimin e lëvizjes hyrje-dalje në të gjitha zonat e ndaluara për qarkullim, për shkak të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, gjatë datave 28.11.2020 dhe 29.11.2020 gjatë orarit 19:00 deri në orën 05:00 për stafin esencial të KQZ-së, stafin zgjedhor dhe vëzhguesit e akredituar, me qëllim të kryerjes së detyrave të tyre për përgatitjen finale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës dhe Komunën e Mitrovicës së Veriut”, thuhet në vendimin e MPB-së.

    Në anën tjetër, nga KQZ-ja kanë bërë të ditur se janë në fazën finale të përgatitjes për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë. Zëdhënësi Valmir Elezi, ka treguar për numrin e votuesve të infektuar me COVID-19 e mënyrën se si ata do të mund të votojnë.

    “Komisioni Komunal i Zgjedhjeve ka kontaktuar me qytetarët me të drejtë vote nga komuna e Podujevës të cilët janë në karantinë shtëpiake për shkak të testit pozitiv me COVID-19. Janë kontaktuar rreth 500 persona dhe pothuajse gjysma e tyre kanë shprehur vullnetin e tyre për të votuar përmes ndonjërit nga ekipet lëvizëse që ditën e diele do t’i dërgojmë në adresat e këtyre votuesve. Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut janë kontaktuar 21 persona dhe shumë prej tyre deri më tani kanë shprehur vullnetin për të votuar”, është shprehur Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

    Elezi tutje ka bërë të ditur se numri i vëzhguesve të akredituar për të vëzhguar procesin zgjedhor në këto dy komuna është rreth 1 mijë e 700 vëzhgues.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!