×
  • Lajme
  • Lajme

    MPJ: Serbët nga Beogradi nuk mund të ndikojnë në zgjedhjet e Kosovës

    Reporteri
    02 Shtator 2019 | 19:10

    Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë përfaqësues shtetërorë të cilitdo shtet tjetër, që të vijë në Kosovë dhe të bëjë fushatë, në kohën kur vendi është në procesin zgjedhor, kanë deklaruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në dorëheqje.


    Këto reagime të zyrtarëve në Prishtinë vijnë pas paralajmërimeve të autoriteteve të caktuara të Beogradit se do ta vizitojnë Kosovën, në kohën kur kjo e fundit po shkon drejt mbajtjes së zgjedhjeve më 6 tetor të këtij viti.

    Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në dorëheqje të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë, që institucionet e vendit nuk do të japin leje për hyrje në Kosovë për asnjë përfaqësues të vendeve tjera, e në veçanti të zyrtarëve të Serbisë, që synojnë të organizojnë fushatë në Kosovë.

    “Absolutisht, asnjë përfaqësues shtetëror i cilitdo shtet tjetër, nuk mund të vijë dhe të bëjë fushatë këtu. Kjo është periudhë jashtëzakonisht e ndjeshme. Në këtë rast, paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se do të vijnë në Kosovë dhe të zhvillojnë fushatë zgjedhore, janë të pakuptueshme. Në fakt, janë të kuptueshme për ne, sepse ata e kanë tendencën e vazhdueshme tensionimin e situatës, krijimin e tensioneve të brendshme këtu. Por, institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjëherë që procesi zgjedhor të dëmtohet”, tha Zyberaj.

    Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që të garantohet një proces zgjedhor i qetë, ku qytetarëve do t’iu garantohet votimi i lirë. Rrjedhimisht, sipas tij, qytetarët serbë nuk mund të jenë të shtrënguar në asnjë mënyrë dhe nga askush se si të votojnë dhe ata, siç tha ai, do të votojnë sipas vullnetit të vet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!