×
  • Lajme
  • Lajme

    Murati: Kurti po tenton ta zvarrisë dhe dështojë dialogun

    Reporteri
    24 Korrik 2021 | 14:56

    Partitë politike në raport me dialogun janë sjellë në mënyrë jo serioze duke e shpërfaqë para opinionit publik si një imponim nga Bashkimi Evropian, por jo si domosdoshmëri që Kosova përmes tij t’i zgjidh problemet e mbetura me Serbinë, ka thënë kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.


    Nga një varg politikanësh, sipas Muratit edhe kryeministri i vendit Albin Kurti është nga ata që favorizon “status-quo”.

    Madje, ai tha se kreu i shtetit Kurti është duke përdorur të gjitha këto taktika që ta zvarrisë dialogun e edhe ta dështojë atë.

    “Në përgjithësi partitë politike në raport me dialogun janë sjellë në mënyrë jo serioze duke e shpërfaqë para opinionit publik si një imponim nga BE-ja por jo si domosdoshmëri që Kosova përmes tij t’i zgjidh problemet e mbetura me Serbinë dhe të ecë pastaj në rrugën e saj dhe ta përfundojë procesin e shtet formimit. Nga një varg politikanësh zotëri Kurti është nga ata që më së shumti e favorizon “status-quo” që Kosova të mbetet në këtë situatë të paqartë të raporteve të pazgjidhura me Serbinë dhe duke qenë kështu ai përdor të gjitha këto taktika që ta zvarrisë dialogun edhe ta dështojë. Duke njohur konceptin politik të Kurtit kjo është në vijë asaj që ai mendon se duhet të prodhojë dialogu mbi të gjitha sikurse edhe politikanët tjerë nuk kanë guxim të futen në një proces që do të prodhonte zgjidhje të guximshme”, tha Murati në një prononcim për EO.

    Mes tjerash, Murati theksoi se e sheh të largët mundësinë e një njohjeje të Kosovës nga Serbia, pa i paraqitur të gjitha problemet që e godasin Kosovën.

    Megjithatë, ai tha se rruga e vetme që duhet ndjekur Kosova është që të shtoj në tryezën e bisedimeve çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, në mënyrë që të kërkohet me ngulm vendosja e reciprocitetit atje.

    “Unë e shoh të largët mundësinë e një njohjeje nga Serbia dhe në anën tjetër Kosova do të dalë fitimprurëse në një proces të tillë vetëm kur në tavolinën e bisedimeve i paraqet problemet kryesore që i mundojnë Kosovën. Ndërmjet dy vendeve ka shumë probleme të cilat sidomos e godasin Kosovën por nga ky dialog ka interes edhe Serbia sidomos në rrugën e saj të integrimeve evropiane. Kam bindjen e plote që rruga e vetme që duhet ndjekur Kosova është që të shtoj në tryezën e bisedimeve edhe çështjen e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit. Pra të pozitës së shqiptarëve atje. Fillimisht të kërkohet reciprociteti me ngulm që çka do që kërkohet për serbët në komuna veriore të kërkohet edhe për shqiptarët dhe Kosova do të dilte përfundimtare nëse ky proces përfundon me ripërcaktimin e kufijve. Pjesa shqiptare e Kosovës lindore bashkohet me Kosovën dhe pjesa serbe e Leposaviqit, Zubin Potokut bashkohet me Serbinë dhe të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës e cila shumë pengesa. Do të ishte një shtet funksional dhe do të hapeshin rrugë për integrime evropiane dhe do të hapeshin rrugët për një mundësi me bashkimin me Shqipërinë”, tha ai.

    Tutje, Murati shtoi se humbja më e madhe për Kosovën është nëse vazhdohet me një dialog të papërfunduar, dhe afatgjatë e konflikti të ngrirë me Serbinë.

    “Pra me mbet kështu siç jemi është më keq sepse jemi të pa integruar në institucione ndërkombëtare, kemi problem me Kushtetutë, me veriun dhe të drejtën e vetos që e kanë serbët në Kuvend. Dhe po të përfundojë me një asociacion për serbët Kosova e bënë edhe jo më funksionale sesa që është sot. Humbja më e madhe për Kosovën është nëse ne vazhdojmë kështu sepse me një dialog të papërfunduar, dhe afatgjatë dhe konflikti të ngrirë me Serbinë. Sot skena politike në krye me kryeministrin Kurti është në favor të “status-quo” pra të mbesin kështu siç jemi dhe unë e shoh të rrezikshme sepse mund të vije një moment kur mund të na imponohen zgjidhje nga aleatët tanë por nuk shoh shpejt përfundim të dialogut qoftë për të mirë qoftë për të keq. “Status-quo” nuk i përshtatet Kosovës dhe shqiptarëve por më shumë Serbisë në këtë kontekst”, u shpreh ai për EO.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!