×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa i dëshpëruar me sjelljen e BE-së: Dialogut me Serbinë po i humb kuptimi

    Reporteri
    31 Tetor 2020 | 10:42

    Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka theksuar se me sjelljet e Serbisë në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu me Serbinë po e humb kuptimin.


    Sipas Mustafës, dialogu po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për t’i vënë në harresë krimet e saj, shkruan Reporteri.

    Mustafa ka thënë se Kosova është treguar konstruktive karshi dialogut dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për këtë proces, por sipas tij, ky përkushtim nuk po vlerësohet nga BE.

    Ai është shprehur se madje ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës.

    Postimi i plotë:

    Qytetarë të nderuar,
    Me sjelljet e Sebisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj.
    Kosova e vlerësoi fjalimin e një deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Ai e tha të vërtetën!
    Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb , tjerë përveç serbëve nuk ka në “demokracinë serbe” se “ do të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.
    Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj?
    Kosova është treguar konstruktive karshi dialogut dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për këtë proces. Edhe Kryeministri Hoti po tregon përkushtim shumë konstruktiv.
    Por ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE. Bile ka tendenca të hapen
    disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit” .
    Kundërshtimi i vendeve të caktuara të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarë e vendit tonë, edhepse janë përmbushur të gjitha kriteret, më shumë flet për një qëndrim paragjykues të tyre, sesa për parime. Ne kemi dëshirë të besojmë se vendet e tilla ia duan të mirën Kosovës. Por kjo ide nuk pasqyrohet përmes politikave të izolimit të qytetarëve të një vendi. Politikat e izolimit nuk përkojnë me demokracinë dhe kulturën evropiane. Ndërkaq ne nuk heqim dorë nga të qenurit evropian, me territor, me arsim, me kulturë e me ekonomi. As vizat dhe as Serbia nuk na ndalin në këtë rrugë. IM

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!