Ministria e Arsimit, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, ka vazhduar me lidhjen e kontratave njëburimore.
Kjo Ministri e ka pasur të planifikuar për sot nënshkrimin e një kontrate tjetër që e ka dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, lidhur me ndërtimin e një çerdhe në Mitrovicë. Saktësisht, tenderi është dhënë për “inicim të procedurave për pozicione shtesë dhe të pa parapara” në këtë projekt, shkruan Reporteri.net.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 48 mijë e 248 euro, derisa kohëzgjatja e kësaj kontrate është për gjashtë muaj.
Me këtë tender është shpërblyer kompania “Astraplan SH.P.K” dhe me të parashihet të kryhen punët e dheut, zhavorrit dhe rërës, si dhe punët e armaturës.
Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar para dy javësh se si Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nënshkruar 10 kontrata, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për punë shtesë në ndërtimin e çerdheve që janë në ndërtim e sipër. Vlera e këtyre kontratave sillej rreth gjysmë milioni euro dhe shumica e tyre ishin nënshkruar të njëjtën ditë, më 17 tetor, e në total në një periudhë rreth dy javore.
Para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtonte 160 çerdhe. Për ta përmbushur këtë premtim, është ende larg.
Deri në fillim të këtij viti, ishin ndërtuar vetëm katër prej tyre, e në janar ishin publikuar njoftime paraprake për ndërtimin e 19 të tjerave.
Një bilanc rreth punës për ndërtimin e çerdheve e kishte bërë kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 16 dhjetor 2023.
“Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite, janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, në periudhën 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon: -4 çerdhe të përfunduara, -26 në proces të punës, -3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës, dhe -8 çerdhe në proces të tenderimit”, kishte deklaruar Kurti.