×
  • Lajme
  • Lajme

    Nasim Haradinaj ka arritur afër zyrave të OVL-UÇK, “fshihet” nga veteranët

    Reporteri
    25 Shtator 2020 | 16:02

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka arritur pranë zyrave të organizatës.


    Ai është parë teksa po bisedonte me pjesëtarët tjerë të organizatës në një qoshe, përballë zyrave ku po vazhdon aksioni i policëve të EULEX-it, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë aksionit të sotëm i cili ka filluar pak pas orës 11:00 dhe po vazhdon ende, u arrestua kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati.

    Sipas familjarëve, Gucati tashmë është transferuar në Hagë.

    Ndërsa, nënkryetari Haradinaj, ka thënë se nuk do të shkojë në zyrat e OVL-së, pasi që nuk i përgjigjet EULEX-it.

    ”Nuk shkoj në organizatë. Nuk i përgjigjem EULEX-it sepse ata e arrestuan Hysni Gucatin”, ka deklaruar ai.

    Ai ka thënë se ishte rrugës për në OVL-UÇK meqë ia kishte kërkuar këtë kryetari Gucati, ngase sipas tij nevojitej që ti nënshkruajë disa dokumente.

    “Mund të më arrestojnë kudo në rrugë, ose nesër ose masnesër por unë nuk do të hyj aty sot”, u shpreh ai.

    Aksioni i sotëm i EULEX-it vjen pas arrestimit të parë nga Gjykata Speciale.

    Salih Mustafa u arrestua dje nën akuzat për krime lufte.

    Ndërkohë pak minuta më parë, qytetarë të shumtë të grumbulluar para selisë së OVL të UÇK-së janë përleshur me pjesëtarët e Policisë së EULEX-it.

    Ata po protestojnë pas arrestimit të kreut të OVL-UÇK, Hysni Gucati nga ana e EULEX-it, i cili po vazhdon bastisjet në zyret e kësaj organizate, shkruan Reporteri.

    Protestuesit janë përleshur edhe me Policinë e EULEX-it derisa disa prej tyre kanë gjuajtur shishe në drejtim të tyre.

    Pas tensioneve policët e Kosovës kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën duke krijuar një kordon para protestuesve.

    Reporteri.net do të ju mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet që po ndodhin aty. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!