×
  • Lajme
  • Lajme

    Në fund të javës pritet që të shkojë në Qeveri programi qeverisës

    Reporteri
    03 Maj 2021 | 15:59

    Autor: Besfort Veseli


    Këtë javë pritet që të jetë gati plani qeverisës i Qeverisë Kurti 2. Një gjë të tillë ka arritur ta konfirmojë nga burimet e saj brenda Qeverisë, Gazeta Online “Reporteri.net”.


    Ky burim i ka thënë Gazetës që në fund të javës pritet të jetë gati dhe më pas të hidhet në votim.

    Gjithashtu, grupi parlamentar i Vetëvendosjes sot ka mbajtur një takim të mbyllur.

    Arsyeja e këtij takimi ishte diskutimi i pikave të plan-programit qeverisës.

    Në këtë takim që morën pjesë disa anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë, kishte filluar qysh në mëngjes nga ora 09:00 e kishte zgjatur deri në ora 13:00.

    Pas votimit, plani qeverisës do të bëhet publik, ashtu siç kishte premtuar edhe kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.

    E lidhur me këtë plan qeverisës, ka pasur edhe kritika të shumta nga opozita.

    Duke filluar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili ishte shprehur se Qeverisë po i mungon plani për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe plani qeverisës.

    “Qeveria Kurti duhet të hartojë plan për vaksinim, mbikëqyrje të rreptë të masave, të sigurojë kushte për personelin shëndetësor dhe të sigurojë vaksinat”, pati deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se beson që Qeveria Kurti nuk ka plane se si të udhëhiqet me vendin, pasi sipas tyre “do të kishin pasur planin qeverisës brenda dy ditëve të ardhjes në pushtet.”

    Kështu ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ditë më parë në një intervistë, gjersa ka shtuar se “nga ajo që është parë deri më tash del se Qeveria Kurti nuk ka ide të qartë se çka duhet të bëjë kur është në pushtet.”

    Mes tjerash, as kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj s’ka qëndruar i heshtur lidhur me këtë çështje.

    Hoxhaj ka thënë se po bëhen një muaj që kur Qeveria Kurti ka marrë detyrën dhe ende nuk kanë prezantuar një plan qeverisës.

    “Albin Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, me ata që dikur veturave të tyre ua fuste flakën, ndërsa as edhe një fjalë apo veprim konkret për tu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë. E për t’i mbuluar të gjitha dështimet, Kurti nisi edhe luftën dhe përndjekjen e mediave të cilat guxuan të flasin për keqqeverisjen e tij”, ka thënë Hoxhaj.

    Nga kampi i VV-së, saktësisht nga ushtruesja e detyrës së Kryetares së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ditë më parë ka thënë se së shpejti ky plan qeverisës do të shkojë në Kuvendin e Kosovës nga Qeveria Kurti.

    “Tash ai plan duhet të zbërthehet në përputhshmëri me obligimet kontraktuale që Kosova i ka me Bashkimin Evropian sipas marrëveshjes së stabilizim-asocimit, duhet të shkojë në përputhshmëri, në njëfarë mënyre të afatizohet me kufizimet buxhetore të cilat sot janë e të cilat do e përcjellin këtë qeveri së paku deri në rishikimin e pastaj deri në fund të vitit sa të fillojë përgatitja e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe natyrisht që konform premtimeve që janë dhënë në fushatë”, pati thënë Kusari-Lila për RTV21.

    Më 22 mars të këtij viti Kuvendi i Kosovës me 67 vota për dhe 30 kundër e asnjë abstenim votoi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.

    Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit dhe fitoi 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!