×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të bie qeveria Hoti? Nesër Kushtetuesja vendos për votën e Etem Arifit

    Reporteri
    01 Dhjetor 2020 | 8:59

    Nesër në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seancë dëgjimore lidhur me kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, për të cilën kishte kërkuar interpretim partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.


    Seanca pritet të fillojë në orën 10:00, ndërsa sot gjatë ditës GJK-ja ka bërë të ditur se do të publikojë edhe informacione të reja.

    Lëvizja Vetëvendosje nesër do të marrë përgjigje mbi dyshimet që ka shfaqur që nga votimi i Qeverisë Hoti lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi.

    Të gjitha palët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për seancë publike, e cila do të mbahet me datë 2 dhjetor.

    Kjo seancë dëgjimore do të mbahet përmes video-konferencës e në Kushtetuese thonë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj.

    “Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, thotë zyra për media e Gjykatës Kushtetuese për Gazetën Express.

    GJK-ja bën të ditur se palët nuk kanë kërkuar shtyrjen e seancës dhe se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë për informacione më të detajuara.

    “Asnjëra nga palët e përfshira në rast nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës. Për më shumë hollësi rreth mundësisë së përcjelljes së drejtpërdrejtë të seancës dëgjimore publike, do të mund t’i referoheni edhe njoftimit për media që Gjykata do ta publikojë gjatë ditës së nesërme”, thotë Gjykata.

    Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka treguar në emisionin DPT te Fidani në T7 se çfarë do të ndodhë nëse Kushtetuesja e shpall të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi.

    “Nëse shpallet e pavlefshme, atëherë kthehemi te Kurti”, tha ai.

    “Kurti kthehet në pozitën ku ishte në fillim. Do të thotë zgjedh se a do t’i dërgojë letrat famoze përsëri u.d. presidentit. Unë isha kundër këtij vendimi, ju e dini. Ishte i padrejtë vendimi i Kushtetueses pasi merrej me sjelljet e Albinit me letra. Por kjo nuk është drejtësia. Ajo duhet të merrej me faktet. Tani është në dorë të u.d. të presidentit. Ajo mund të zgjedhë. Mund të zgjasë edhe deri në pafundësi. Vendimi ka qenë shumë i pabazë”, shtoi ai.

    Si do të mbahet seanca?

    Seancat dëgjimore në Kushtetuese mund të mbahen në rast se Gjykata urdhëron mbajtjen e tyre, duke besuar se në këtë mënyrë mund të qartësohen provat.

    Këto seanca janë publike përveç nëse urdhërohet ndryshe nga Gjykata, kur ka arsyetim të mirë sipas Ligjit ose sipas kësaj Rregulloreje.

    Të gjitha seancat dëgjimore do të jenë të hapura për qytetarët, përveç kur Gjykata urdhëron përjashtimin e qytetarëve nga seanca, nëse një përjashtim i tillë kërkohet për sigurinë e ndonjërës nga palët ose të përfaqësuesve të tyre, apo për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

    ”Çdo pale, përfaqësuesi, dëshmitari ose pjesëmarrësi tjetër në seancë dëgjimore, sjellja e të cilit ndaj gjyqtarit ose ndaj Sekretarit të Përgjithshëm nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës, ose i cili sillet në mënyrë fyese ndaj palës tjetër apo të ndonjë përfaqësuesi të palës tjetër, mund t’i shqiptohet vërejtje nga Kryetari dhe t’i jepet mundësia të mbrojë veten. Kryetari, në konsultim me gjyqtarët, mund të urdhërojë shqiptimin e masave disiplinore, përfshirë shqiptimin e gjobës, në pajtim me normat e vendosura nga Gjykata, ose, në raste të jashtëzakonshme, përjashtimin nga seanca dëgjimore”, thuhet në rregulloren e këtij institucioni, ku bëhet e ditur gjithashtu se kryetari mund ta përjashtojë një vëzhgues nga seanca, nëse sjellja e tij/saj nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës apo nëse ai/ajo shkakton shqetësim në Gjykatë.

    Seanca mund të shtyhet nga kryetari i Gjykatës nëse ndonjëra palë dëshmon se për ndonjë arsye të rëndësishme nuk mund të marrë pjesë në seancë.

    Kryetari vendos nëse do të urdhërojë shtyrjen e seancës dëgjimore dhe Sekretariati i njofton palët me një vendim të tillë. Kur urdhëron shtyrjen e seancës, Kryetari mund të urdhërojë që pala, e cila ka bërë kërkesë, të paguajë shpenzimet që ajo palë ia ka shkaktuar palës tjetër ose palëve të tjera, si rezultat i kërkesës për shtyrje.

    Kryetari e hap seancën dëgjimore dhe është përgjegjës për sjelljen e duhur gjatë seancës. Pala që është e përfaqësuar mund t’i drejtohet Gjykatës nëpërmjet përfaqësuesit, përveç nëse gjyqtari i bën ndonjë pyetje drejtpërsëdrejti palës.

    Me datë 2 dhjetor palëve të përfshira do t’u jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

    Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

    Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.

    Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

    Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!