×
  • Lajme
  • Lajme

    Nesër nis Ramazani: Këta janë deputetët që do të agjërojnë

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 18:15

    Autor: Blendi Gashi


    Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, një numër i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pritet të agjërojnë.


    Reporteri.net ka kontaktuar me disa prej deputetëve ku shumica prej tyre e kanë konfirmuar se do të agjërojnë Ramazanin.

    Mërgim Lushtaku, ka konfirmuar se do të agjëron Ramazanin dhe thotë se këtë e bën që nga mosha 15-vjeçare.

    “Po e agjëroj, familjarisht e agjërojmë. E kam agjëruar diku që nga mosha 15-16 vjeç”, ka thënë Lushtaku për Reporteri.net.

    Ai ndërkaq ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët islam.

    “Besoj që ky muaj është moment reflektimi dhe përmirësimi për besimtarët islam. Besoj ata që agjërojnë e kanë një ndjenjë më të mirë të solidaritetit me ata që nuk i kanë kushtet më të mire jetese. Ju uroj gjithë besimtarëve të fesë islame Ramazanin dhe ju uroj agjërim të lehtë”, ka deklaruar Lushtaku për Reporteri.net.

    Deputetja PDK-së, Ganimete Musliu ka konfirmuar se do të agjëron.

    “Po do agjëroj kam ka 25 vite që agjëroj”, ka deklaruar Musliu për Reporteri.net.

    Ajo ka uruar të gjithë besimtarëve Ramazanin.

    “Shfrytëzoj rastin që të gjithë besimtarëve t’ua uroj muajin e shenjtë të Ramazanit”, ka deklaruar Musliu.

    Edhe deputetja nga komuniteti boshnjak Duda Balje ka prej vitesh që agjëron.

    Ajo përmes një statusi në Facebook ka lë të kuptohet se do e agjëron edhe sivjet.

    “A jeni gati! Unë jam gati, mezi po pres!”, ka shkruar Balje në Facebook.

    Salih Salihu, deputet i Partisë Socialdemokrate thotë se nga 97-ta e këtej ka agjëruar, me ndonjë vit ndërprerje, por se nuk ka vendosur prerazi për këtë vit ende.

    “Është obligim kush mundet. Ndoshta e agjëroj. Me agjeru kam filluar në Austri në studimet e doktoratës. Nga 97 e këndej, ndonjë vit e kam ndërprerë ndoshta”, thotë Salihu për Reporteri.net.

    Ai ju uron të gjithë besimtarëve islam kudo që janë agjërim të lehtë të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

    Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu ka deklaruar se të paktën tre ditë do ta agjëron.

    “Është diçka personale. Por nuk mund të them që do ta agjëroj komplet, por një pjesë po. Sigurt ditën e parë, Natën e madhe Kadrit dhe ditë e fundit”, ka thënë deputetja Baftiu për Reporteri.net.

    Ahmet Isufi deputet i AAK-së nuk ka dashur të deklarohet nëse e agjëron.

    “Është çështje private”, ka thënë shkurt Ahmeti duke mos treguar nëse do e agjëron apo jo.

    Reporteri.net merr vesh se edhe deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu e deputeti i PDK-së, Abdyl Salihu janë në mesin e deputetëve që do ta agjërojnë.

    Reporteri.net ka telefonuar deputetin Rekaliu, por atij telefoni i ka dalë i fikur.

    Sigurisht se nuk përjashtohet mundësia që dhe ndonjë deputet tjetër të agjërojë Ramazanin, por nga bisedat me deputetët e lartcekur edhe ata nuk kanë mundur të konfirmojnë emra të tjerë të kolegëve të tyre.

    Ndryshe, Myfiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë ane e mbanë botës për nisjen e agjërimit të muajit të Ramazanit.

    I njëjti tutje tha se në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dëshiron që të gjithë në këtë muaj të shenjtë të përjetojnë mirësitë e begatitë e tij.

    Kujtojmë se Muaji i Ramazanit fillon me datë 6 maj dhe mbaron më 3 qershor. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!