×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga AAK kritikojnë Arben Vitinë: Tre herë ministër i Shëndetësisë, por nuk i ka as tre suksese

    Reporteri
    05 Shkurt 2023 | 22:31

    Arben Vitia, befasoi opinionin publik me rikthimin e tij në pozitën e ministrit të Shëndetësisë për here të tretë, pas dorëheqjes që dha kur vendosi të kandidojë për kryetar të komunës së Prishtinës, zgjedhje këto që i humbi.

    E kryeministri Albin Kurti pasi e riktheu Vitinë si i pari i shëndetësisë kosovare tha ndër të tjera se “Tash e kemi ministër sërish Arben Vitinë, është hera e tretë që e emëroj, dhe mbase e treta e vërteta”.

    Por nga opozita nuk po shohin shpresë se shëndetësia kosovare do të këndellet me rikthimin e Vitisë si ministër.

    Time Kadridjaj, deputete e AAK-së thotë se Qeveria Kurti edhe pse ka kaluar dy vite në pushtet nuk ka prioritete për ta zhvilluar asnjë sektor, e as atë të shëndetësisë, por sipas saj prioritet ka qenë marrja e pushtetit dhe akomodimi i aktivistëve partiak në pozita shtetërore.

    “Shëndetësia kosovare kurrë nuk ka qenë më keq se sot. Arben Vitia e braktisi pozitën e ministrit të Shëndetësisë në vlug të pandesmise kur shëndetësia ishte ne kaos, për të kandiduar për një post politik. Për më keq Ministria e Shëndetësisë u la pa ministër për disa muaj, dhe u rikthye Vitia për herë të tretë. Te Qeveria Kurti mund ta gjesh një person që tre here është bërë minister i Shëndetësisë por nuk i ka as tre suksese në dobi të qytetarëve”, ka thënë Kadrijaj për Reporteri.net.

    Ajo ka shtuar tutje se gjendja në repartet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk është aspak e mire.

    “Repartet e shëndetësisë janë ushtrues detyre. Qasaj e VV-së ka shkuar aq larg sa personeli shëndetësor përcjellet në rrjtet sociale në detaje për aktivietet e tyre dhe thirren më pas në telefon që të heqin reagimet e tyre dhe komentet që bëjnë në profile të ndryshme”, thotë ajo.

    Kadrijaj thotë se nga kjo metodë e udhëheqjes po e pësojnë qytetarët dhe pacientët e vendit, por se do të largohen edhe profesionistët shëndetësorë.

    “Kemi ngecje në shërbime shëndetësore, lista e pritjes është e gjatë, mungojnë barnat esenciale. Shqetësuese është se nëse vazhdohet kështu, jo që nuk do të ketë kërkesa për t’u punësuar në institucionet shëndetësore publike, por për të ikur në institucione private, por edhe jashtë shtetit. Pra shëndetësia kurrë nuk ka qenë më keq dhe Qeveria duhet të punojë dhe të angazhohet dhe t’i lë popullizmat”, thotë Kadrijaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!