×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga afera 600 mijë euro e deri te financimi i VV-së, çfarë deklaroi sot Martin Berishaj në Komisionin Hetimor

    Autor:Linda Ibrahimaj
    17 Nëntor 2022 | 17:37

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj gjatë ditës së sotme është intervistuar nga Komisioni Hetimor për Energji, ku dhe foli edhe për skandalin financiar prej 600 mijë eurove në të cilin dyshohet se është i përfshirë, teksa i quajti shpifje ato që janë raportuar për të, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Berishaj tha para Komisionit Hetimor për Energji se qëllimi i këtyre raportimeve nga mediat sllovene se ai “mori 600 mijë euro nga kompania GEN”, ka qenë i lidhur me zgjedhjet në Slloveni.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci pranoi se në kompaninë GEN ka qenë këshilltar dhe ka dhënë këshilla politike aty, dhe se mohoi t’i ketë marrë shumën prej 600 mijë eurove nga ta.

    Unë me GEN e njoh, është një firmë që është në shumë vende të botës. Është plotësisht me pronë në Slloveni. Unë kam qenë aty si këshilltar. Unë i kam dhënë këshilla politike se çka duhet me ba një firmë. GEN është e regjistruar në ZRrE me 2009 dhe bën shitblerje. Shitblerja e rrymës nuk është shitblerej specash, por elektronike. Është transparente. Nga viti 2019 dhe 2020 me ta nuk kam forma kontakti, pasi kam filluar si ambasador”, tha Berishaj, derisa theksoi se për Ballkan ka qenë filiala në Beograd e përcaktuar.

    “GEN është filial, janë diku 18 filiala. Për Ballkan ka qenë i përcaktuar GEN në Beograd. Është si me ble Coca-Colën në Kosovë, apo Teksas. Çdo marrëveshje kontraktuale që është ba me një firmë, është ba në mënyrë transparente. Kam dëgjuar një fjalë sekser, GEN është një prej kom për prestigjioze në Evropë për tregtim të energjisë, kjo nuk do të thotë se konsultimet që janë ba kanë pasë rezultate maksimale. Vetëm unë kam qenë punëtor. Nuk kam punuar për shitje të energjisë. Unë e kam dhënë qasjen politike në bazë të strategjive që një shtet i jep në këtë situatë”, u shpreh ambasadori.

    Madje, Berishaj u pyet edhe nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nëse me paratë që dyshohet se ka marrë, prej 600 mijë euro nga kompania GEN, dhe kishte investuar në fushatën parazgjedhore të VV-së, Ambasadori i Kosovës në Kroaci tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe se u shpreh se po të kishte mundësi, një gjë të tillë do e bënte duke ndihmuar veteranët e luftës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Me përgjegjësi morale, juridike e si person, ato mjete nuk kanë përfunduar as te kryeministri Kurti, as te Krasniqi, as te Abdixhiku, as te Haradinaj”, tha Berishaj.

    Por, se do ta padiste portalin slloven që shkroi i pari për këtë rast, në deklarimin e tij, sot Martin Berishaj theksoi një gjë të tillë veçse e ka bërë tashmë.

    Ai gjithashtu foli edhe për rastin kur tre muaj më parë, Agjencia Kundër Korrupsion kishte ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit për mosdeklarim të pasurisë, për dy bizneset Myloja L.L.C dhe Zasion Kosova, ndërsa Berishaj u arsyetua se në njërën nga bizneset ai ka shitur aksionet, dhe se tjetra nuk funksionon më dhe nuk ka asnjë qarkullim.

    Derisa shfaqes i qetë para Komisionit Hetimor të Energjisë të drejtuar nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, Martin Berishaj në pak sekonda luajti edhe “rolin e Nënë Terezës”, derisa kërkoi në fund të intervistës së tij nga anëtarët, që paratë e dedikuara për ardhjen e tij në Kosovë, të jepeshin për një familje në nevojë, mirëpo një gjë e tillë nuk u pranua nga Kryetari i këtij Komisioni.

    Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-I – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.

    Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.

    Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.

    Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.

    Por, në hulumtimin e bërë nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të këtij viti, dëshmohet se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, ka pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i ka tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i.

    Martin Berishaj, ish-kryetari i partisë së parë shqiptare në Slloveni “Unioni Demokratik i Kosovës”, gjatë kësaj periudhe kohore ishte në ushtrimin e detyrës si anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse jetesën e vazhdonte në Slloveni, ku edhe ligjëronte në një universitet në Lubjanë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!