×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga AKR tregojnë se a do të qëndrojë Pacolli në sallë kur të votohet për presidentin

    Reporteri
    31 Mars 2021 | 13:33

    Këshilltari i kreut të Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, ka thënë se i pari i partisë, Behgjet Pacolli, ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në sallë kur të votohet presidenti i ri i Republikës së Kosovës.


    Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, Zyberaj bëri të ditur se vendimi i Pacollit se a do të qëndrojë në sallë në seancën kur do të votohet presidenti do të jetë edhe mbi bazën e sjelljeve të së kaluarës, kur është zgjedhur vetë ai në krye të shtetit.

    “Ende s’kemi vendim. Vendimi do të merret po ashtu mbi bazën e sjelljeve të së kaluarës, kur është zgjedhur zoti Pacolli si president.”, tha Zyberaj, shkruan Reporteri.net.

    Ai po ashtu ka thënë se AKR i merr vendimet si subjet i pavarur politik dhe me kreun e partisë me të cilën garuan bashkë në zgjedhje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të zhvillojnë vetëm takime partneriteti.

    “Me z.Abdixhiku mund të zhvillojmë takime partneriteti, por AKR është subjet i pavarur politik dhe si i tillë vendimet i merr si të pavarura nga subjektet e tjera politike.”, ka thënë Zyberaj për Reporterin.

    Krejt në fund ai deklaroi se tashmë ekziston shumica për zgjedhjen e presidentit dhe sipas tij, zgjedhja e të shefit të shtetit nuk varet nga vota e tyre.

    “Shumica besoj që ekziston për zgjedhjen e presidentit. Nuk varet nga vota jonë.”, tha këshilltari i Pacollit.

    Kujtojmë se Behgjet Pacolli është deputeti i vetëm i AKR-së në Kuvendin e Kosovës dhe është pjesë e Grupit Parlamentar të LDK-së.

    E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit që mbajti dje me Grupin Parlamentar të partisë, ka deklaruar se Kryesia ka vendosur që deputetët e LDK-së të marrin pjesë në procesin e votimit të presidentit dhe pret që ky vendim të respektohet nga të gjithë deputetët e partisë. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!