Nga nesër në mëngjes, ndalohen edhe kafet ‘merre me vete’

Janë shtuar masat e rrepta të izolimit të kosovarë, për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit COVID 19. Më e reja është se janë mbyllë të gjitha parqet. Me gjasë kjo vjen pas rritjes së numrit të te infektuarve dhe pamjeve me shumë njerëz nëpër parqet e Kosovës.


Gjithashtu, nga nesër ndalohet edhe dhënia e kafeve me vete.

Ky është njoftimi nga Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve.

Njoftimi:
Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve ka marr vendim që të gjitha parqet nëpër të gjitha komunat e Republikës së Kosovës do të mbyllen nga ora 08:00 deri në ora 20:00. Policia e Kosovës do të jetë në të gjitha pikat ku janë parqet dhe nuk do të lejojë asnjë qytetarë që t’i frekuentojnë.

Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e organeve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse ato po bëhen me qëllim të ruajtjes së shëndetit tuaj dhe të familjes tuaj.

Po ashtu ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës që gjatë daljeve publike, të mbajnë distancën sociale me njëri-tjetrin.

Po ashtu obligohen që nga nesër të gjitha marketet dhe dyqanet që janë të lejuara të punojnë, që të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.

Gjithashtu nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafes si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take Away), pavarësisht llojit të shërbimit primarë.

Ju lutem që t’i ndiqni këto udhëzime sepse këto po bëhen për të mirë tuaj, sepse vetëm kështu do t’i ndihmoni edhe institucionet e shtetit që bashkërisht t’ia dalim edhe kësaj sfide.

Ju ftojmë që të kontribuoni duke Qëndruar në Shtëpi, për të mos i humbur mundin, mjekut, infermierëve, policit, ushtarëve të FSK-së, doganiereve, ekipeve emergjente dhe të gjithë atyre që po japin kontribut për të tejkaluar këtë situatë.

Të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi nga nesër prej orës 08:00.