×
  • Lajme
  • Lajme / Zhvillimet e djeshme

    Nga “një hap larg” drejt anëtarësimit, Kosovës i “humb” rruga për në KiE

    Reporteri
    17 Maj 2024 | 8:08

    Kur më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dha dritën e gjelbër raportit të deputetes greke Dora Bakoyanis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “kjo është një ditë e madhe” për Kosovën.

    Mbështetja e madhe që Kosova mori në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, u konsiderua si shumë e rëndësishme dhe tashmë Kosova ndodhej vetëm një hap larg drejt Këshillit të Evropës.

    Kryeministri Kurti ia atribuoi këtë sukses diplomacisë kosovare. Një muaj pas këtij zhvillimi, nga një hap larg, Kosovës duket se tashmë i ka humbur rruga për në KiE, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Por, çfarë ndodhi?

    Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha javën e kaluar se nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

    Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.

    Ndërkaq, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha  se teksa Kosova po kushtëzohet me hapa drejt Asociacionit për t’u pranuar në KiE, në anën tjetër, askush s’po i kërkon Serbisë të bëjë pjesën e saj. E para e shtetit tha se kjo është mungesë totale e baraspeshës që minon kredibilitetin e dialogut.

    Por derisa 17 maji po afrohej, e Kosova nuk ishte futur ende në agjendë të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Qeveria e Kosovës u  zotua për krijimin e një draft-statuti për Asociacion dhe dërgimin e tij në Kushtetuese deri në fund të muajit maj. Kjo përmes një letre që kryediplomatja Donika Gërvalla-Shwarz i nisi KiE-së.

    Letra që u shkrua e u dërgua të mërkurën, në publik doli të enjten në mëngjes përmes një njoftimi që e lëshoi vetë Gërvalla-Schwarz. Ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ndodhej në Kotor të Malit të Zi, ku po merr pjesë në një samit BE-Ballkani Perëndimor, derisa Presidenca e Kosovës u distancua nga veprimi pasi “nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Vjosa Osmani”.

    Disa orë më pas,  në një konferencë për media, Gërvalla tha se presin nga partnerët ndërkombëtarë që ta vlerësojnë këtë lëvizje të Kosovës më mënyrë që Qeveria të bëjë hapa tutje drejt përgatitjes së draftit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ndonëse në letrën e saj thekson se Qeveria e Kosovës është duke punuar në hartimin e draftit, në konferencë për media, kryediplomatja ka thënë se kjo çështje është vetëm në fazën e zotimit.

    “Kryeministri Kurti ditë më parë e ka shpjeguar pse një draft i caktuar nuk mund të dërgohet në Kushtetuese. Në momentin që dokumenti do të dërgohej në Kushtetuese, natyrisht që do ta kishte ndërruar trajtën e tij dhe nuk do të dërgohej si një draft-dokument. Nuk ka asnjë lloj dileme se kush i ka kompetencat për dërgimin në Kushtuese apo marrjen e një vendimi të tillë. Po flasim për një zotim për të përgatitur një draft-dokument. Nuk po flasim as për një dokument të gatshëm, as për një draft-dokument të dorëzuar diku. Kemi përsëritur zotimin tonë për të hartuar një draft-dokument i cili i plotëson edhe nevojat e qytetarëve tanë, të cilët i dinë vetë nevojat e tyre, por edhe që është në përputhje jo vetëm me Kushtetutën por edhe me ligjet e veçanta të shtetit tonë, prandaj nuk i shoh rreziqet e tilla. Në këtë moment ende jemi në fazën e zotimit për t’u angazhuar seriozisht në një proces të tillë. Një qeveri serioze duhet të merret edhe me çështjet që i ka trashëguar vetë. Ne nuk mund të merremi vetëm me tema të lehta, duhet të gjejmë zgjidhje një nga një, me maturi e pak guxim edhe me temat që ne i kemi trashëguar, të cilat unë i quaj gabime të pafalshme, por një qeveri serioze zgjidh probleme, në vend se të ankohet për ato të së kaluarës. Ne presim që partnerët tanë ndërkombëtarë ta vlerësojnë këtë angazhim, zotim dhe varësisht nga reagimi i palës tjetër do të shohim se a do të jemi në gjendje ta draftojmë dhe ta paraqesim. Deri më tani nuk jemi në procese të avancuara, jemi tek zotimi me shpresën që një zotim i tillë të shihet ashtu siç është, zotim i sinqertë që do të pranohet”, tha Gërvalla.

    Letra e Gërvallës për KiE-në: Në fund të majit, Qeveria e dërgon në Kushtetuese draftin për Asociacionin

    Por, për Gjermaninë letra zotuese e Donika Gërvallës nuk është bindëse për të ndryshuar qëndrimin e tyre rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE. Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ambasada gjermane në Kosovë tha se “hapi i vështirë ende nuk ka ndodhur”.

    “Quint-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit (ASM) në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm. Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit do të ishte një hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë punët e vështira”. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës për Reporteri.net.

    Ambasada gjermane në Kosovë: Dorëzimi i draft-statutit për Asociacionin i pritshëm, por “hapi i vështirë ende nuk ka ndodhur”

    Gjatë ditës, të pyetur nga gazeta online Reporteri.net, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka dashur të komentojë veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës e cila njoftoi Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin.

    Nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë se nuk ka më shumë komente rreth çështjes përveç atyre që i ka thënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Më vonë, Gjermania, Franca dhe Italia i janë përgjigjur një shkrese me propozime të Kryeministrit Albin Kurti drejtuar krerëve të këtyre tre shteteve që “kushtëzuan” votimin e Kosovës në KiE, në Këshillin e Ministrave. Në letër, Scholz, Macron dhe Meloni ia bëjnë të qartë Kryeministri që hapat që ka propozuar Kosova “nuk adresojnë nevojën urgjente për hapat konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe rrezikojnë të minojnë tutje dialogun që fasilitohet nga Bashkimi Evropian”.

    Kjo thuhet në një letër të përbashkët, që Top Channel e ka publikuar, që mban firmën e Kancelarit Gjerman, kryeministres së Italisë dhe Presidentit të Francës, dhe i drejtohen Kryeministrit Albin Kurti.

    Tutje, letra ia bën të qartë shefit të ekzekutivit kosovare se për to i pranueshëm është vetëm draft-statuti për ASK’në i propozuar nga BE-ja.

    “Draft-statuti i prezantuar nga Përfaqësuesi Special për Dilaogun, Miroslav Lajçak, nuk është një ‘propozim gjentelmenësh’. Është një model solid, i draftuar me kujdes me ndihmën e avokatëve dhe ekspertëve evropianë, i bazuar në praktikat më të mira ekzistuese”, thuhet nder tjera në përgjigjen e Berlinit, Romës dhe Parisit për Prishtinën.

    Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

    “Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

    Scholz, Macron dhe Meloni i kthejnë “topin” mbrapa Kurtit: Propozimi juaj s’mjafton për anëtarësim në KiE, drafti i Lajçak ka mbështetjen tonë të plotë

    Qeveria nuk u koordinua  me presidenten Osmani

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se letra e Qeverisë së Kosovës dërguar në Këshillin e Evropës, nuk është konsultuar e as dakorduar me të.

    “Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në deklaratën nga Presidenca.

    Në deklaratën që ka lëshuar këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, u tha se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

    “Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.

    Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, u tha në reagimin e tij. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!