×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve që e lidhën dhe rrahën babanë e tyre, arrest shtëpiak për të dyshuarin e tretë

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 15:46

    Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve, K.B dhe L.B, ndërsa masën e arrestit shtëpiak ndaj R.B, nën dyshimin se e lidhën dhe e rrahën babanë e tyre.

    Ky vendim është marrë të enjten, nga gjyqtari i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurori Sadri Alija, ka deklaruar se ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar K.B, L.B dhe R.B në bashkëkryerje më 11 janar 2022, në fshatin Dobidol, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, ushtrojnë dhunë në familje, përkatësisht e keqtrajtojnë fizikisht babanë e tyre, të dëmtuarin B.B.

    Ai tha se janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 165 të KPP-së, për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale dhe të njëjtit mund t’i përsërisin ato vepra, të arratisen apo të ndikojnë në dëshmitarë.

    Sipas tij, prokuroria i ka vlerësuar të gjitha masat e tjera të parapara me nenin 173 të KPPRK-së, mirëpo në rastin konkret nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e të dyshuarve në procedurë.

    Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit K.B, avokati Adhurim Bugari e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rendë.

    I njëjti propozoi që për të pandehurin të caktohet një masë më e butë, siç është masa e arrestit shtëpiak apo ajo e paraqitjes së të pandehurit në stacionin policor.

    Po ashtu edhe mbrojtësi i të pandehurit L.B, avokati Gazmend Sharku, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rendë.

    Ai i ka propozuar gjykatës që për të mbrojturit e tij, t’i caktohet një masë më e butë, siç është masa e arrestit shtëpiak apo ajo e paraqitjes së të pandehurit në stacionin policor.

    Sipas tij, i mbrojturi i tij, i pranon veprimet e bëra, ndjen keqardhje dhe se veprimet e tij, i njëjti i ka kryer për të parandaluar veprimet e të dëmtuarit këtu babait të tyre, andaj edhe janë shuar arsyet për caktimin e masës së paraburgimit.

    Edhe mbrojtësja e të pandehurit R.B, avokatja Arta Himaj, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rendë.

    Ajo i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të saj të caktohet masa e arrestit shtëpiak apo ajo e paraqitjes në stacionin policor, pasi sipas saj, këto masa janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.

    Më pas, të pandehurit K.B, L.B dhe R.B, kanë mbështetur fjalët e mbrojtësve të tyre, duke thënë se ndjejnë keqardhje për rastin që ka ndodhur.

    I pandehuri K.B, ka deklaruar se vëllai i madh R.B, nuk ka qenë prezent kur ai dhe vëllai L.B, kanë lidhur babanë e tyre.

    “E kemi lidhë me mbrojtë familjen, vëllai i madh nuk ka qenë aty, ai ka ardhë në fund, se ka qenë tek stalla e lopëve”, tha i pandehuri K.B.

    Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, pas deklarimit të palëve, ka marrë vendimin mbi caktimin e paraburgimit për të pandehurit L.B dhe K.B, në kohëzgjatje prej një muaji, ndërsa për të pandehurin R.B, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 12 janar 2022 ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve K.B, L.B dhe R.B me arsyetimin se në bashkëkryerje më 11 janar 2022 në fshatin Dobidol, në bashkëveprim me njeri tjetrin, ushtrojnë dhunë në familje, përkatësisht e keqtrajtojnë fizikisht babanë e tyre, të dëmtuarin B.B.

    Sipas kërkesës së prokurorisë ngjarja kishte ndodhur atë mënyrë që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin në mes vete, në natën kritike derisa i dëmtuari B.B fillimisht ishte duke diskutuar me të pandehurin L.B, pasi që i pandehuri K.B kishte shkuar në Rahovec, për të nxjerrë një vërtetim në Polici dhe Gjykatë, i dëmtuari nuk ishte i kënaqur me shkuarjen e tij dhe gjatë debati me tone të larta në mes tyre, aty ndërhyjnë edhe të pandehurit K.B dhe R.B, të cilët fillimisht e rrëzojnë të dëmtuarin në dysheme e më pas e lidhin me litar të trashë, litar të hollë dhe zinxhirë metali, në të gjitha pjesët e trupit, qafë, duar, stomak dhe këmbë, e më pas e lanë të lidhur të dëmtuari për një kohë rreth 20 minuta, derisa aty shkoi zyrtarët policorë.

    Në kërkesën e prokurorisë, thuhet se i dëmtuari menjëherë dërgohet në QKMF në Rahovec, për trajtim mjekësor dhe me udhëzim të mjekut kujdestar dërgohet në Urgjencën e Spitalit rajonal në Gjakovë, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

    Me këto veprime, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Dhunë në familje” në bashkëkryerje nga neni 248 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Tutje, në kërkesën e prokurorisë thuhet se me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, të kësaj kërkese, të pandehurit në bashkëveprim me njëri-tjetrin i shkaktojnë lëndime trupore të dëmtuarit – babait të tyre B.B , në atë mënyrë që pasi që e rrezojnë të dëmtuarin në dysheme e më pas e lidhin me litar të trashë, litar të hollë dhe zinxhirë metali, në të gjitha pjesët e trupit, qafë, duar, stomak dhe këmbë, e më pas e sulmojnë fizikisht duke e goditur me grushte në pjesë të fytyrës.

    Sipas prokurorisë, me këto veprime të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore në fytyrë, qafë, duar dhe këmbë, lëndime këto të përshkruara në raportin mjekësor të lëshuar nga QKMF – Rahovec më 11 janar 2022 dhe raportin e lëshuar nga Spitali Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë të më 11 janar 2022.

    Me këto veprime, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje”, nga neni 185 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!