×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga partia e Dardan Molliqajt e përkrahin propozimin e Ahmetit për taksë për ata që hyjnë në Prishtinë

    Reporteri
    20 Tetor 2020 | 8:22

    Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati është deklaruar në lidhje me propozimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për vendosjen e një takse për parking, për gjithë ata që hyjnë në qendër.


    Kastrati në prononcim për Insajderin ka thënë se përkrahë një politikë të tillë të propozuar nga Ahmeti, meqë për qëllim ka mbrojtjen e ambientit.

    “Nuk jam në dijeni saktë në lidhje me propozim, por mesa kam kuptuar vlen për të gjitha regjionet dhe jo vetëm për ata që hyjnë në komunën e Prishtinës. Si politikë është e duhur, çdo politikë që mbron ambientin është në dobi të të gjithëve” , ka thënë Kastrati.

    Qëndron Kastrati është kryetari i parë i një komune i cili përkrahë idenë e Ahmetit për vendosjen e taksës për parking apo taksës së gjelbër.

    Theksojmë se Qëndron Kastrati e Shpend Ahmeti i takojnë të njëjtit subjekt politik, Partisë Socialdemokrate.

    Propozimi i Ahmetit për vendosjen e taksës për veturat që hyjnë në kryeqytet është kritikuar ashpër. Madje, edhe partitë opozitare në Komunën e Prishtinës, kanë dalë kundër një vendimi të tillë të propozuar nga kryetari.

    Pas reagimeve të ndryshime lidhur me këtë çështje, i pari i Prishtinës ka përdorur sërish sot, Facebookun për të dhënë sqarime shtesë.

    “S’është taksë për qytete tjera, por pagesë shtesë për një pjesë të qendrës ku ka shumë tollovi me vetura. Kjo vlen për krejt dhe jo vetëm për regjione të tjera. Kjo s’fillon tash, por do të ketë diskutime. Kjo shkon bashkë edhe me rregullin në trafik, kamerat e trafikut. Pra, ka kohë dhe është politikë progresive”, ka shkruar ai.

    Ahmeti më herët kishte thënë se numri i sëmundjeve respiratore dhe fataliteteve si rezultat i ndotjes është i madh, andaj kjo është njëra prej arsyeve për vendosjen e një takse për vetura në Prishtinë.

    Ndërkohë, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka treguar se taksa e gjelbër për të hyrë në Prishtinë pritë të kushtojë 10 euro, ndonëse ka shtuar se ende nuk ka vendim përfundimtarë për këtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!