×
  • Lajme
  • Lajme

    Nikaj, PDK: Ministrja Gërvalla ka dështuar, duhet të jap përgjegjësi

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 21:40

    Mos-emërimi i ambasadorëve të rinj nëpër vende të rëndësishme nëpër botë po shihet si dëm i madh që i është bërë politikës së jashtme të Kosovës dhe dështim i ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.


    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë i kësaj partie, Bernard Nikaj, gjatë intervistës për emisionin “Përballje” në Telegrafi ka thënë se dikush duhet të jap përgjegjësi për dështimet që janë bërë në këtë aspekt,

    Sipas tij, ministrja Gërvalla është ajo që ka dështuar të dërgojë propozimet për ambasadorë tek Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    “Dikush duhet të fillojë të jap përgjegjësi për dështimet. Nëse ti e ki një ministre të jashtme e cila për shtatë muaj shërbim dështon t’i propozojë presidentes, sepse kjo është dështim i Ministrisë së Jashtme, pra t’i propozojë Presidentes dhe Kuvendit emrat për ambasadorë”, thotë Nikaj.

    Tutje, ai u shpreh se, “Ministrja është titullar i ministrisë, ministrja ka dështuar që t’i propozojë Presidentes dhe Qeverisë, e Kuvendit emrat për ambasadorë dhe ky është fakt”, tha Nikaj gjatë intervistës për Telegrafin.

    Nikaj nuk foli për emrat e ambasadorëve, por theksoi se pozita nuk është siguruar që t’i ketë deputetët e saj në Komisionin për Punë të Jashtme, gjë që sipas tij “tregon për nivel të abstenimit” të pozitës në këtë proces.

    “Emrat, besoj se nuk i bëjmë nderë as atyre e as vetes për të folur për ta. Por, fakti që Komisioni për Politikë të Jashtme e fton takimin për të intervistuar për kandidatët për ambasadorë, e nuk është siguruar që i ka as deputetët e shumicës aty, tregon për këtë nivel të amstenimit ose jo-kompetencës”, theksoi Nikaj në “Përballje”.

    Sipas Nikajt ky proces po e dëmton shumë Kosovën.

    “Kjo e dëmton politikën e jashtme të Kosovës. Sot kur data është shtatë, janë tri ditë që ka kaluar moratoriumi për aplikim në organizata ndërkombëtare, e kemi të paqartë se çfarë do të bëj Kosova, çfarë strategjie ka Qeveria e Kosovës në lidhje me aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thotë ai.

    Tutje, ai thotë emërimi i ambasadorëve është një procedurë shumë më e thjeshtë sesa aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    “A do të aplikojmë sivjet në Interpol, a do të aplikojmë në UNESCO, në Këshill të Evropës, apo do ta vazhdojmë moratoriumin. Si mund ta implementojmë një politikë të tillë kur nuk kemi pasur kompetencë të mjaftueshme që të emërojmë ambasadorë nëpër shtetet tjera. Të anëtarësohesh në një organizatë ndërkombëtare është ndërmarrje më e ndërlikuar se çdo gjë tjetër që mund të bësh këtu brenda”, tha Nikaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!