×
  • Lajme
  • Lajme

    Nikaj, PDK: Nëse s’mbahen zgjedhjet, i bie që Kurti e ka dorëzuar veriun

    Reporteri
    07 Dhjetor 2022 | 21:36

    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj, deklaroi se nëse nuk mbahen zgjedhjet më 18 dhjetor në veri, i bie që kryeministri Albin Kurti, e ka dorëzuar këtë pjesë të Kosovës.

    Ai deklaroi se zgjedhjet medoemos duhet të mbahen në veri, pasi sipas tij, ka kohë që deri më 18 dhjetor, të gjendet një zgjidhje.

    “11 ditë janë të mëdha. Kjo kohë duhet të shfrytëzohet që të ulet Kurti me Escobarin dhe Lajçakun dhe të gjendet një zgjidhje. Nëse nuk mbahen zgjedhjet, do të shkelet Kushtetuta. Nëse nuk mbahen zgjedhjet i bie që Kurti e ka dorëzuar veriun”, deklaroi Nikaj në KTV.

    Sipas Nikajt, situata në veri të Kosovës është brengosëse, e për këtë, ai fajtor e la kryeministrin Kurti, pasi siç theksoi ai, situata ka mund të shmangej, nëse do të mirëmbahej paqja.

    “Është brengosëse që këto skena janë kthyer në veri, nuk janë skena që do të duhej t’i shihnim në 2022. Kjo situatë ka qenë e shmangshme, ka ekzistuar një paqe në veri rreth institucioneve të krijuara me shumë mund. Një paqe e brishtë ka ekzistuar në veri. Të mirëmbahet ajo paqe dhe të zhvillohet në drejtim pozitiv, ka qenë ideja e qasjes edhe e partnerëve edhe e skenës politike. Situata në veri është kthyer shumë vite pas, këto ngjarje po e trazojnë situatën e përgjithshme në vend”, tha ai.

    Anëtari i Kryesisë së partisë në opozitë theksoi se aktualisht në veri të vendit nuk po zbatohet rendi dhe ligji.

    “S’ka pasur iluzion që serbët janë pjesë e institucioneve nga dëshira e tyre. Mjeshtëria e mbajtjes së kësaj situate është të mos krijohet një situatë që t’iu jepet një shkas që të dalin serbët nga institucionet. Rendi dhe ligji zbatohet janë stacioneve policore në veri. Situata në veri në këtë moment është më e disfavorshme, sesa siç ishte një muaj më parë. Ne nuk shohim asnjë arsye që të shtyhen zgjedhjet në veri. Me doemos duhet të mbahen zgjedhjet”, u shpreh ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!