Një mal me shkelje në ministrinë e Jevtiqit

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar raportin e saj për ministrinë për Kthim dhe Komunitete, e cila udhëhiqet nga Dalibor Jevtiq.


Fillimisht, Auditori në të gjeturat e tij ka evidentuar se  një zyrtar i kësaj ministrie kishte marrë pagë për një periudhë tremujore në të cilën nuk ishte paraqitur fare në punë.

Sipas raportit të Auditorit, për secilin muaj ky zyrtar kishte marrë pagë prej 586 eurosh që në total kap vlerën e 1 mijë e 759 eurosh.

“MKK kishte në funksion Sistemin e Menaxhimit të Vijueshmërisë së Punës (SMVP). Pas rishikimeve tona, ne kemi vërejtur se gjatë vitit 2018 një (1) zyrtarë2 nuk kishte respektuar orarin e punës sepse për tre muaj brenda vitit kishte munguar pa arsye. Pagesa për periudhën tremujore ishte 1,759€ (3*586.36=1,759€)”, theksohet në të gjeturën e Auditorit.

Vlen të theksohet se drejtori i departamentit edhe pse kishte shqiptuar vërejtje me shkrim ndaj punëtorit për mosrespektim të orarit, nuk kishte ndërmarr ndonjë masë disiplinore.

Kjo kishte ndodhur pasi që menaxhmenti i ministrisë nuk e kishte trajtuar me seriozitet mungesën në punë të punëtorit duke e mbajtur përgjegjës atë në respektimin e orarit të punës sipas kërkesave ligjore.

Planifikimi i projekteve kapitale

Ministria e udhëhequr nga Jevtiq nuk kishte bërë planifikim të projekteve të tyre kapitale.

Madje, në planifikimin e tri projekteve të kësaj natyre, këto projekte nuk ishin specifikuar e as detajuar.

Ato nuk përshkruanin as aktivitetet e sakta, as shumat e ndara komunave, si dhe as numrin e personave përfitues.

“MKK nuk kishte bërë planifikim të mirë të projekteve kapitale. Në tabelën 3.2 të Ligjit të buxhetit të projekteve kapitale për nivelin qendror ishin planifikuar tri projekte. Këto projekte nuk ishin specifikuar dhe detajuar, por kishin vetëm një përshkrim të përgjithshëm dhe vlerën financiare. Projektet e planifikuara ishin: Projekti Rikthimi, Ri integrimi i Komuniteteve (RRK-IV-), faza 4 në vlerë 1,000,000€, Projekti për Kthim (Ndërtimi i shtëpive për të kthyer) në vlerë 2,400,000€ dhe Projekti për Komunitete në vlerë 3,500,000€”, thuhet në të gjeturën e auditorit për këtë ministri.

Shpjegimet e menaxhmentit janë se është e vështirë të definohen hollësitë dhe kërkesat lidhur me këto projekte, për shkak se me rastin e planifikimeve buxhetore, shumë nga informatat nuk janë të njohura.

Por, konkluzioni i auditorit është se si shkak i kësaj është neglizhenca e menaxhmentit për të bërë një analizë të hollësishme para se këto projekte të propozohen.

Menaxhimi dhe monitorim i dobët i subvencioneve:

Auditori ka vërejtur plot dallavere edhe në ndarjen e subvencioneve nga kjo ministri.

Madje, përfituesit e këtyre projekteve nuk i kishin dorëzuar faturat për mënyrën se si i kishin shpenzuar mjetet që i kishin marrë nga ministria.

MKK me datën 06.07.2018 kishte subvencionuar në shumë 3,960€ projektin “Organizimi i turnirit tradicional të Vidovdanit në futboll të vogël”. Ky projekt parashihej të mbahet nga data 10 deri 28 qershor 2018. Ne kemi identifikuar se përfituesi i subvencionit nuk kishte ofruar asnjë raport financiar për mënyrën e shpenzimit të mjeteve”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Po ashtu  te subvencioni i dhënë për “Përkrahje për mbulimin e shpenzimeve për blerjen e pajisjeve për fermë të derrave” në vlerë 4,980€, përfituesi kishte ofruar dëshmi vetëm për shumën 500€ ndërsa pjesën tjetër (4,480€) nuk kishte ofruar dëshmi siç kërkohet me udhëzues. Shkaku i mos raportimit me fatura është se pajisjet janë blerë nga personat fizik.

Te subvencioni për “Blerja e pajisjeve për zgjerimin dhe rritjen e prodhimit të malinave” në vlerë 4,915€, përfituesi kishte ofruar dëshmi vetëm për shumën 2,215€, ndërsa për pjesën tjetër (2,700€) nuk kishte dëshmi adekuate (faturë) por kishte sjellë një vërtetim për blerjen e pajisjes.

Te subvencioni “Zgjerimi i bletarisë dhe prodhimi i mjaltës” në vlerë 4,250€, përfituesi kishte ofruar dëshmi vetëm për shumën 1,275€, ndërsa pjesën tjetër në shumë 2,975€ nuk kishte dëshmi.

Te subvencioni për “Mbulimin e shpenzimeve për prodhimin e produkteve qumështore” në vlerë 4,650€, përfituesi kishte ofruar dëshmi me faturë vetëm për shumën 1,050€, ndërsa për pjesën tjetër në vlerë 3,600€ kishte sjellë një dokument për shitblerje pa vlerë financiare (jo faturë).

Rastet më sipër kishin ndodhur për shkak të monitorimit të dobët të ministrisë ndaj përfituesve të subvencioneve.

Sipas Auditorit, rreziku mungesa e raportimit financiar nga përfituesit për realizimin e projekteve rritë rrezikun që mjetet e dhëna të mos realizohen sipas kërkesës së aprovuara dhe të keqpërdoren për qëllime tjera.

Kujtojmë, se ministrat e Listës Serbe nuk kanë dalur në punë që prej arrestimit të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në Kosovë shkruan lajmi.net. Kjo ishte bërë në shenjë proteste ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës, teksa disa muaj më vonë, shkaku i taksës dhanë dorëheqje edhe katër kryetarë të komunave serbe.