×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj pas formimit të Qeverisë mbahet Samiti i Parisit – a do të shkojnë Thaçi e Kurti bashkë?

    Reporteri
    11 Tetor 2019 | 20:22

    Nëse Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës, ai do ta ketë dy teste të mëdha, një muaj pas marrjes së detyrës.


    Sipas analistit Naim Rashiti, një muaj pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, pritet të mbahet Samiti i Parisit, që në muajin korrik u anulua për shkak të qasjes së kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj ndaj dialogut me Serbinë.

    Në emisionin “Analiza Zgjedhore” në Klan Kosova, Rashiti tha mbrëmë se në këtë samit do të ftohen Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, ky samit shtron nevojën që Presidenti Thaçi dhe me Albin Kurti të relaksojnë raportet dhe të shkojnë me një zë në këtë samit, dhe jo të ndarë siç ata janë tani apo edhe siç ka qenë më herët raporti mes Thaçit e Haradinajt.

    Rashiti ka thënë se nëse Kosova edhe një herë tregon ndarjen e brendshme politike e institucionale, si dhe shkon me qëndrime të njëjta si në Samitin e Berlinit, atëherë rrezikon shumë në përkrahjen ndërkombëtare.

    Duke ju referuar një paralajmërimi të tillë të Rashitit, Kurti duhet të kalojë dy teste: “të normalizojë raportet me presidentin Thaçi dhe po ashtu të ketë qasje tjetër në Paris, krahasuar me atë të Haradinajt”.

    Ndryshe, në Kosovë, të dielën e 6 tetorit është votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit.

    Në këto zgjedhje, sipas rezultateve preliminare, partia e fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryeministër Albin Kurti. Pas saj, u radhit LDK-ja, me një diferencë shumë të ngushtë me VV-në, shkruan Reporteri.net.

    Ndërkohë, formimi i qeverisë se re pritet të marrë kohë edhe disa javë, si shkak i rinumërimit të disa vendvotimeve për shkak të një gabimi teknik në formularët e shënimit të rezultateve.

    Po ashtu, kohë deri në shpallen e rezultateve përfundimtare pritet të marrë edhe numërimi i votave me postë dhe me kusht si dhe formimi i koalicionit paszgjedhor që mundëson votat e mjaftueshme në Kuvend për krijimin e qeverisë së re. Për këtë të fundit, VV-ja tashmë ka nisur negociatat me LDK-në. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!