×
  • Lajme
  • Lajme

    Odalloviq: Kurti do që t’i bëjmë kërkesë speciale për mbajtjen e referendumit

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 13:35

    Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit serb dhe ish funksionar i lartë në Kosovë në kohën e Sllobodan Millosheviqit, Veljko Odalloviq, ka deklaruar se Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi është i gatshëm të mbajë referendum edhe në Kosovë për ndryshimet kushtetuese në Serbi, por se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po e përkeqëson situatën”.

    Siç raporton Radio Televizioni i Serbisë (RTS), Odalloviq i ka përkujtuar se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë zhvilluar pa problem në kohën e qeverisjes së Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Avdullah Hotit, por se, siç thotë au, Kurti është ai që punon ndryshe.

    “Është ai që i ka ndërprerë kontaktet me OSBE-në, me të gjithë. Ai po mundohet të detyrojë Serbinë t’i drejtohet me një kërkesë të veçantë, sikur të ishte diaspora. Kjo është e papranueshme për ne. Territori është unik, është i joni, deshi ai apo jo, le të gjendet ai në botën e vet”, ka thënë Odalloviq.

    Referendumi për ndryshimet kushtetuese në Serbi në çështjet e drejtësisë do të mbahet më këtë të dielë, më 16 janar.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian tha se s’është pajtuar që të organizohet referendumi i Serbisë edhe në Kosovë, derisa ka shtuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes postës apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

    “Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, shkroi Kurti në Twitter pas një bisede me Borrellin më 12 janar.

    Në kundpërgjigje, kryediplomati evropian ka përmendur se si në të kaluarën janë grumbulluar votat nga misioni i OSBE-së.

    Sipas Borell, qytetarëve duhet t’iu jepet mundësia për ta ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.

    “Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Borrell përmes një postimi në Twitter.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!