×
  • Lajme
  • Lajme

    Opozita dhe shoqëria civile të zhgënjyer me qeverisjen e Shpend Ahmetit

    Reporteri
    13 Korrik 2019 | 16:05

    Rreth dy vite qeverisje të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti po cilësohen nga opozita dhe shoqëria civile si zhgënjyese për shkak të dështimeve në realizimin e projekteve kapitale. Sipas tyre, për këto vite nuk po ndryshon asgjë në kryeqytet dhe në një formë kryeqyteti nuk ka kryetar. Ndërkaq, zyrtarët komunal i mohojnë këto akuza dhe thonë se ky do të jetë viti i investimeve në infrastrukturën rrugore.


    Nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se Prishtinën po e përcjell një keq qeverisje në shumë fusha. Asamblisti, Agim Gashi shprehet se në bazë të raportit të auditorit po shihet keq menaxhimi në shumë fusha e në veçanti investime kapitale.

    Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika të shumta për gjitha vonesat dhe zvarritjet e projekteve kapitale.

    Asamblisti i kësaj partie, Eman Rrahmani thotë se këto janë dështime direkte të kryetarit Ahmeti.

    Kritika për mos arritjen e realizimit të projekteve kapitale në Prishtinë ka dhe nga shoqëria civile dhe organizatat që e mbikëqyrin komunën.

    Nga organizata joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj deklaron se në Prishtinë nuk po ndryshon asgjë, kjo sipas tij, po ndodh për shkak të mos shpenzimit të parave që janë të parapara për investime kapitale.

    Për këtë regres, ai thotë se ka një paaftësi apo neglizhencë në qeverisjes në Prishtinë si në projektin e parkingut nëntokësor, ashtu dhe zvarritjet e ndërtimit të kolektorit në Kalabri.

    Ndërkaq, analisti politik, Rasim Alija thotë për KosovaPress se me mënyrën e qeverisjen së tanishme, kryeqyteti nuk ka kryetar. Kjo gjendje, sipas tij, është si pasojë ngadalësimit ose mbajtjen peng të shumë projekte kapitale.

    Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Gëzim Mehmeti i mohon gjitha këto akuza dhe jep shifra sa i përket investimeve në kryeqytet, që sipas tij, e dëshmojnë të kundërtën e atyre që po thotë opozita dhe shoqëria civile.

    Siç thotë Mehmeti vetëm këtë vit janë paraparë mbi 16 milionë euro investime në infrastrukturën rrugore, këto ai i cilëson si projekte që asnjëherë që nga paslufta nuk kanë ndodhur në Prishtinë.

    Ndërsa, për projektet më madhore siç është kolektori në Kalabri dhe parkingu nëntokësor, Mehmeti thotë se ka pasur vonesa për shkak të problemeve pronësore dhe rregullave të prokurimit.

    Ndryshe, sipas kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, OSHP i ka dhënë të drejtë Komunës për parkingun nëntokësor me mbi 500 vendparkime i cili do të filloj sivjet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!