×
  • Lajme
  • Lajme

    Organizohet protestë edhe në Graçanicë, policia njofton për bllokimin e rrugës kryesore

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 12:37
    Protesta e serbëve në Graçanicë / Foto: REL

    Banorët e Graçanicës, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, po protestojnë më 2 qershor në shenjë solidariteti me serbët në veri të Kosovës.

    Protestuesit mbajnë në duar pankarta me porositë: “Graçanica është me vëllezërit dhe motrat nga veriu”, “Vëllezër, plagët tuaja edhe neve na dhembin”, “Zemra e Graçanicës rrah për serbët nga veriu”, etj., raporton REL.

    Të pranishëm në protestë janë kryesisht punonjës të institucioneve që punojnë sipas sistemit serb, por edhe në ato me sistemin e Kosovës.

    Pankartat e protestuesve serbë në Graçanicë / Foto: REL

    Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të bllokojë rrugën kryesore në Graçanicë për automjetet, për shkak të protestes që është paralajmëruar atje.

    “Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së një proteste të paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që udhëtojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë do të ketë ndërprerje (bllokim) të përkohshme të qarkullimit të trafikut, deri në përfundim të protestës”, thuhet në njoftimin e policisë, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve duke ju kërkuar që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugët alternative”, është thënë tutje në komunikatën e policisë.

    Protesta e serbëve në Graçanicë / Foto: REL

    Ndërkohë, protestat në veri të vendit nga serbët lokalë kanë hyrë sot në ditën e gjashtë.

    Në lidhje me situatën në veri, sot po mbahet seancë e veçantë në Kuvendin e Kosovës, ku opozita po kritikon qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj aleatëve.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rolin kryesor në organizimin e protestuesve në terren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” dhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren, gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Kurti tha se me këto protesta, me gjithë dashakeqësinë e tyre, “neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikimin e tyre”.

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është momenti i fundit që kryeministri Kurti ti kthehet racionalitetit në qeverisje. Krasniqi ka thënë se Kurti shkatërroi imazhin e Kosovës, duke e paraqitur vendin tonë si vatër e luftës.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po i njeh bandat kriminale në veri dhe emrat e anëtarëve, por nuk po i arreston. Ai tutje në Kuvend tha se Kosova po rrezikon të humb sovranitetin dhe aleatët. I pari i LDK-së tha se Kosova ka gjasë të humb edhe aleatët edhe sovranitetin. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!