×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi

    Osmani: Anëtarësimi në KiE hap i rëndësishëm për fuqizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë

    Reporteri
    02 Prill 2024 | 17:51

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut. 

    Gjatë takimit me Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Osmani ka thënë se Këshilli i Evropës ofron mekanizma shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.

    Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Osmani e falënderoi Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.

    “Në këtë frymë, presidentja Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet në komunikatën për media.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.

    Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike e aleate për ta avancuar tutje këtë proces drejt finalizimit të suksesshëm të tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!