×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani në samitin e BE’së në Tiranë: Vuçiq është mendësi e së kaluarës e cila shkaktoi luftëra ku u vranë 150 mijë civilë

    Reporteri
    06 Dhjetor 2022 | 10:09

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me të arritur në Tiranë, u është përgjigjur mediave për raportet Kosovë-Serbi, ku u ka kujtuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është politikanë që vjen nga një mendësi e kaluar politike, e cila kishte shkaktuar luftëra në ish’Jugosllavi ku ishin vrarë mbi 150 mijë civilë.

    Megjithatë Osmani ka thënë se Kosova nuk ka hezituar që të shtrijë dorën e bashkëpunimit, pavarësisht se Vuçiq nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera.

    “Për fat të keq Vuçiq është vazhdimësi e një mendësie që ka ekzistuar në vitet 90’ në Serbi dhe saktësisht është kjo mendësi që çoi në luftëra dhe shkatërrim e vrasje të 150 mijë civilëve, një mendësi që duhet hedhur poshtë nga të gjithë. Ajo çfarë po tregon Kosova këto ditë, është e kundërta se çfarë tregon Vuçiqi. Ne po shtrijmë dorën e bashkëpunimit, edhe pse ata kurrë nuk kanë kërkuar të falur për krimet që kanë kryer. Por besojmë që dialogu që udhëhiqet nga BE dhe mbështetet nga SHBA është e vetmja mënyrë për të ecur përpara drejtë një marrëveshje përfundimtare të përqendruar te njohja e ndërsjellët”, ka thënë Osmani.

    Ndërsa e pyetur nëse në këtë samit do të ketë negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë, ajo ka thënë se këtu nuk është vendi për atë, pasi negociatat bëhen në Bruksel. Por sipas saj dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët.

    “Këtu nuk është vendi për dialog apo negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë. Siç e dini është proces më vete që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Është një proces që ne besojmë se duhet të përqendrohet te njohja e ndërsjellët dhe në të njëjtën kohë të mbrojë e të ruaj integritetin territorial të Kosovës, karakterin e saj unitar si dhe sistemin e saj kushtetues”, ka thënë presidentja Osmani. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!