×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani në Samitin për Demokraci: Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është ekzistenca jonë e përditshme

    Reporteri
    29 Mars 2023 | 12:33

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në deklaratën shtetërore në emër të Republikës së Kosovës në Samitin e dytë për Demokraci, të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se ky vit ka qenë “viti ynë i veprimit”.

    Osmani ka thënë se Kosova ka punuar me përkushtim të plotë për t`i zbatuar zotimet e përcaktuara vitin e kaluar.

    Presidentja e vendit ka shtuar se përkushtimi i Kosovës për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, por “ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive”.

    “Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën
    e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt
    lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë
    rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike.

    Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur
    drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet.
    Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë
    dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi
    përcaktuar vitin e kaluar”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka shtuar se ky vit po ashtu ka qenë edhe vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat, tha ajo po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot.

    “Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot.

    Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë, pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës.

    Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë”, ka thënë Osmani.

    Deklarata shtetërore e Presidentes Vjosa Osmani

    Samiti për Demokraci

    I nderuar President Biden, të nderuar kolegë,
    Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën
    e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt
    lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë
    rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve
    euroatlantike.

    Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur
    drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet.
    Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë
    dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi
    përcaktuar vitin e kaluar.

    Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme
    globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në
    mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot.

    Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e
    vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë,
    pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi
    mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës.

    Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë
    çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të
    vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera
    kudo në botë.

    Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e
    demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Jemi
    duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave
    të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje
    llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike.

    Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga
    Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit
    në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House,
    Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në
    botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin
    antikorrupsion të Transparency International.

    Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi punuar pa u ndalur për ta avancuar
    diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të
    njeriut. U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të
    Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve
    dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo
    shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej
    edicionit të dytë të Samitit.

    Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të
    guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e
    hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në
    institucionet publike dhe role vendimmarrëse.

    Një demokraci e fortë është një demokraci që vepron edhe për gratë. Ne kemi
    bërë hapa të rëndësishëm, por përderisa gratë vazhdojnë të përballen me
    mizogjininë në vendet e punës, dhunën në shtëpi, heshtjen me forcë në klasë
    ose keqtrajtim gjatë ecjes në rrugë – kjo betejë është larg përfundimit.
    Gjatë këtij “viti të veprimit”, Kosova ka udhëhequr diskutimet globale për
    avancimin e të drejtave të grave duke qenë nikoqir i Forumit Ndërkombëtar
    për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me mbi 500 pjesëmarrës me ndikim në këtë
    fushë nga 6 kontinente, dhe në tetor të këtij viti do t'ju mirëpresim të gjithëve
    në edicionin e dytë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë.

    Te nderuar kolegë,

    Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është
    ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive.
    Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.
    Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur
    dhe ushqyer atë, është po ashtu i pathyeshëm.

    Siç tha kohët e fundit Presidenti Biden: “Në momentet e trazirave të mëdha
    dhe pasigurisë, gjëja më e rëndësishme është të dish se çfarë përfaqëson. Dhe
    të dish se kush qëndron me ty, e bën gjithë dallimin.”
    Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku
    demokracia është një realitet për të gjithë.
    Faleminderit!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!