Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Shën Terezën në 27-vjetorin e vdekjes, duke thënë se përkushtimi i saj për të varfrit, besimi i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin Facebook, Osmani ka thënë se Nënë Tereza mbetet një fanar dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit.
“Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit.
Nënë jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim”, shkroi ajo.
Presidentja Osmani është shprehur krenare që shqiptarët i dhanë botës nënën më të madhe që njohu njerëzimi.
“Në 27 vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë”, ka thënë më tej Osmani.
Sot mbushen 27 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes Shën Nënë Terezës.
Shën Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe derisa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Shën Nënë Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë. Papa Françesku më 04 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza.
Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.
E para ishte dëshmia e Monika Besra nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak. Ngjarja ndodhi në vitin 1998 një vit pas vdekjes së Nënë Terezës. Ajo rrëfeu se ndjekëset e saj e çuan në një kishë dhe i thanë të lutej përpara fotos së shqiptares. Ato i kishin dhënë një medaljon të Nënës Terezës të cilin e vendosën mbi stomakun e saj. Kur u zgjua Besra tha se dhembja e sëmundja ishte zhdukur. Kjo mrekulli u njoh nga në vitin 2003 Papa Gjon Pali i Dytë.
Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.