Osmani pret në takim lamtumirës diplomatin japonez, flasin edhe për vizat

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara.

Osmani e falënderoi Ogasawarën për kontributin e tij në afrimin edhe më të madh të Kosovës dhe Japonisë, duke përmendur në këtë kontekst ndihmën në përballje me pandeminë dhe mbështetjen me pajisje mjekësore.

Më tej, në njoftimin për media nga Zyra e Presidentit thuhet se Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e vazhdueshëm në mes të dy vendeve.

“Me z. Ogasawarën presidentja Osmani diskutoi edhe për vizitën e realizuar në Japoni dhe takimet me zyrtarët më të lartë shtetërorë, me të cilët u diskutua thellimi i raporteve politike, por edhe rritja e investimeve japoneze në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në takim me Ogasawarën Osmani, gjithashtu, diskutoi edhe për shtimin e numrit të bursave për studentët kosovarë që duan të studiojnë në Japoni, nisjen e procedurave për heqjen e regjimit të vizave, si dhe tema të tjera të interesit të dyanshëm.