×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Sot na duhet patriotizëm institucional, të zotohemi që do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës

    Reporteri
    17 Shkurt 2020 | 11:34

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha valëviten në të gjitha komunat e Kosovës.


    Ajo ka thënë se sot Republika e Kosovës ka moshën e fëmijëve të pavarësisë të cilët sot ishin të pranishëm në seancë.

    “Sot Kosova jonë jo vetëm që frymon e lirë por edhe po krijon imazhin e ri duke i ofruar vlera edhe botës. Xhudistët e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale. Ata na kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të qeshim nga lumturia. Artistët janë duke na bërë të njohur në botë, kanë bërë që shteti i Kosovës të duhet nga të gjithë. Sukseset e studentëve në botë kanë dhënë shpresën që ky vend të shkëlqejë”, ka thënë ajo.

    Ajo ka kujtuar brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë.

    Osmani e ka kujtuar edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova derisa e ka quajtur ikonë të shtetit.

    “Kujtojmë heronjtë tanë që sakrifikuan gjithçka, kujtojmë familjen Jashari që u sakrifikua e u bë dritë për ne dhe gjithë brezat që vijnë. Kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe heronjtë. Mendojmë çdo ditë e çdo natë bashkë me nënat e të pagjeturve. Kujtojmë të gjithë martirët”, ka thënë ajo.

    Osmani thotë se rrugëtimin deri në pavarësi e bënë bashkë me miqtë ndërkombëtarë.

    “Ne sot i lusim ata që të qëndrojnë bashkë me ne e pranë nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve, në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian. U jemi mirënjohës SHBA-së me të cilët ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”, ka thënë ajo.

    E para e Kuvendit ka thënë se pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e vendeve të rajonit.

    “Qytetarët sot ëndërrojnë për zhvillim ekonomik. Së bashku me institucionet e vendit duhet t’i përmbushim dëshirat e tyre. Sot Kosova është e vendosur më shumë se kurrë që të integrohet në bashkësinë e popujve evropian. Ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim, prandaj sot na duhet një patriotizëm institucional. Sot duhet të zotohemi që ta forcojmë shtetin e Kosovës, të zotohemi që do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe të dëshmojmë që 17 shkurti është i pakthyeshëm e i pacenueshëm”, ka thënë ajo.

    Pas përfundimit të fjalës së kryeparlamentarës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!