×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Vuçiq vajtoi dhe u ankua, takimi me të u bë pas insistimit të Scholz e Macron

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 13:17

    Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informal dhe jo negociues.

    Presidentja ka thënë se gjatë këtij takimi Kosovës iu kërkuan zgjedhje të reja në veri.

    Sipas Osmanit, presidenti serb, Vuçiq ankohej, vajtonte dhe nuk tregonte të vërtetën në takimin me të.

    Ajo tha se nuk ka pasur në plan të takohet me Vuçiqin, dhe sipas saj ishte një insistim që nga mëngjesi nga shumica e liderëve evropian.

    “Nuk kisha asnjë plan të takohesha me Vuçiqin. Sigurisht, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është i vazhdueshëm në Bruksel…ishte mjaft një insistim që nga mëngjesi nga shumica e liderëve evropian dhe sigurisht, si presidentja e njerëzve të Kosovës dua të tregoj konstruktivitetin që është një virtyt i popullit tonë, të tregojmë vullnetin se mund të flasim me të gjithë…kjo nuk është hera e parë që e gjejmë vetën me Vuçiqin në një takim të tillë. Por më duhet të them se ky takim, i cili ishte një takim me insistimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, kërkesë e tyre të cilën e respektova duke qenë se janë disa nga aleatët tanë më të afërt, nuk ishte një takim negociues por një shkëmbim pikëpamjesh. Mund të them se Vuçiq shkëmbeu pamjet, ai vajtonte dhe ankohej dhe sigurisht nuk tregonte të vërtetën që është një virtyt i tij duke qenë ministri i propagandës së Vuçiq”, tha ajo.

    Osmani bëri të qartë se veriu mbetej një kryetemë në takimet e saj me liderët evropiane. Ajo theksoi është kritike që Serbia të ndalojë mbështetjen e këtyre grupeve kriminale që po shkaktojnë pjesën më të madhe të problemeve në veri, gjë të cilën thotë se kërkoi edhe nga vet Vuçiq në takim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!