×
  • Lajme
  • Lajme

    Paralajmërohet protestë edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës

    Reporteri
    16 Shtator 2020 | 14:20

    Pjesëtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë paralajmëruar protestë në rast se nuk do të përfshihen në listën e pagesave shtesë prej 300 eurosh për muajin korrik dhe gusht.


    Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, ka thënë për KosovaPress, se i janë drejtuar me një letër ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

    Ai ka thënë se institucioni i sigurisë është përballur me numër të konsiderueshëm të stafit dhe të burgosurve që janë infektuar me koronavirus, dhe kërkojnë që ata t’i marrin pagat shtesë për dy muajt e kaluar.

    Ai ka thënë se janë pranuar pagat shtesë për muajin prill dhe maj.

    “Ne me një shkresë iu kemi drejtua ministritë të Drejtësisë më datën 28.08.2020 nga i cili kemi kërkuar që të përfshihemi në pakon për kompensim të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19. Ne si institucion i sigurisë jemi përballur me një numër të konsiderueshëm si tek stafi ashtu edhe tek të dënuarit andaj kërkojmë që edhe në të përfshihemi në këtë pako financiare. Punonjësit e SHKK-së do i shfaqin pakënaqësitë e tyre nëse nuk arrihet të përfshihemi në këtë pako….më herët kemi qenë të përfshirë, dy herë nga 300 euro…sipas informacionit që kemi nuk jemi të përfshirë ne i kemi dërguar ministrit kërkesë por nuk kemi asnjë përgjigje po ndihemi të anashkaluar”, tha ai.

    Sadikaj tha se nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues ata edhe do të protestojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.

    “Paralajmërohet edhe protestë sikurse edhe Policia me siguri që nëse nuk përfshihemi do të futemi edhe ne në protestë”, tha ai.

    Për mospërfshirje në pagesën shtesë prej 300 eurosh për muajin korrik dhe gusht protesta kanë paralajmëruar edhe Policia e Kosovës, ndërsa greva dhe protesta kanë mbajtur edhe punëtorët teknik, higjienik si dhe ata të sigurimit të Qendrave të Mjekësive Familjarë dhe QKUK-së.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!