×
  • Lajme
  • Lajme

    Partitë me dëshira të ndryshme, presidenti përballë opsionit për t’ia dhënë mandatin atij që ka shumicën

    Reporteri
    28 Mars 2020 | 14:51

    Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti në Kuvendin e Kosovës, Qeveria konsiderohet se ka rënë, sipas Nenit 95, pika 5.


    Dhe tash i takon presidentit të vendosë për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme apo të vlerësojë mundësinë për propozimin e mandatarit të ri për formimin e Qeverisë së re.

    Thaçi, siç kanë njoftuar edhe nga presidenca të hënën pritet të ketë takime me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth hapave të mëtutjeshëm.

    Burimet e Reporterit thonë se nëse presidenti vendosë për formimin e Qeverisë së re, Kushtetuta dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14 janë të vetmet udhërrëfyese.

    “Por, duke marrë parasysh që presidenti në çdo rast duhet të tentojë t’i shmang zgjedhjet, duke pasur parasysh faktin se është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, si dhe garanton funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve, pra edhe të Qeverisë dhe është aktori kryesor kushtetues në formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve, ai mund ta caktoj mandatar këdo që vlerëson se mund ta ketë shumicën. Duke marrë parasysh edhe rrethanat në të cilën gjendet Kosova për shkak të fatkeqësisë natyrore, pandemisë COVID-19, sigurisht që është në interesin e shtetit dhe qytetarëve të ketë një Qeveri stabile”, kanë thënë burime të Reporterit.

    Burime nga presidenca thonë se nëse partitë politike deklarohen se është në interesin e partive politike formimi i Qeverisë se re, atëherë presidenti duhet të vendosë kritere mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, në pajtim me Pikën 94 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14.

    “Këto kritere duhet të përmbushen nga ndonjëra prej partive më të mëdha parlamentare apo nga një grupacion i ri politik, për të pasur mundësi mandatimi që ta formojnë Qeverinë dhe ruajtur stabilitetin, duke ju përmbajtur kritereve mbizotëruese”, kanë thënë burime.

    Por, në anën tjetër, edhe vetë presidenti, duke ju përmbajtur kritereve mbizotëruese obligohet ta mandatojë kandidatin e partisë politike që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend, për të krijuar Qeverinë e re, duke mos e përjashtuar mundësinë që mandatin t’ia japë edhe partisë së parë fituese.

    Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar porosi Presidentit Hashim Thaçi të mos mendojë opsion tjetër përpos zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë botërore me koronavirus që ka prekur edhe Kosovën,
    Zyra për media e partisë fituese të zgjedhjeve të fundit ka thënë se Qeveria në detyrë është e fokusuar në luftën e koronavirusit e më vonë për zgjedhje të reja. E, jo për të dërguar emër të ri për Shef të Qeverisë.,
    Partitë e tjera ndërkaq janë shprehur pro një qeveri teknike që do të menaxhonte situatën. Nga LDK madje kanë thënë se preferojnë një qeveri të gjerë, por në rrethanat tjera kanë deklaruar se ata nëse marrin mandatin nuk bëjnë koalicion me PDK, por janë të hapur për AAK-në dhe Nismën.

    Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se pozicionimi tyre i 6 Tetorit që në secilin variant të shkojnë në opozitë, mbetet edhe tash.

    Bazuar në terë këtë fontanë dëshirash politike, do të jetë sërish interesant skena politike, në këtë kohë izolimi./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!