×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas dështimit të dy takimeve, flet Konjufca nga Brukseli

    Reporteri
    29 Janar 2020 | 12:42

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, i cili po merr pjesë në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel ka folur për here të parë për formimin e qeverisë së re.


    Ai para të pranishmëve nënvizoi suksesin e procesit të zgjedhjeve në Kosovë, dhe u shpreh se pas konstituimit të Kuvendit, Kosova së shpejti do të ketë edhe Qeverinë e re, shkruan Reporteri.net.

    Kryeparlamentari Konjufca, vlerësoi dhe tha para të pranishmëve se qytetarët presin rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Serbinë dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.

    “Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta në rrugëtimin e saj evropian. Pavarësisht nga arritja e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne nuk kemi shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Kanë kaluar 96 muaj nga kur e kemi filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe sot ne mbesim vendi i vetëm që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it”, tha Konjufca, dhe nënvizoi po ashtu se, është shumë zhgënjyese për qytetarët e Kosovës ndjenja e të qenit të izoluar.

    Në fjalën e tij me këtë rast, kryeparlamentari Konjufca, foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se e kuptojmë plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga BE-ja.

    Lidhur me këtë ai deklaroi se Qeveria e re do të ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

    Gjatë këtij Samiti, të organizuar dhe kryesuar nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, përpos kryeparlamentarit Konjufca, po marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shefat e grupeve politike të Parlamentit Evropian, si dhe reporterët e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

    Kujtojmë se është pikërisht pozita e kryekuvendarit që po pamundëson bërjen e koalicionit VV-LDK, pasi kjo e fundit po e dëshiron këtë pozitë për një vit derisa të zgjedhet presidenti, kurse partia e Kurtit po refuzon t’ia jape pasi thotë se nuk dëshron ta përmbysë vullnetin e deputetëve që e votuan Konjufcën për kryeparlamentar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!