×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas Qeverisë, edhe Kuvendi redukton shpenzimet e telefonisë dhe reprezentacionit për stafin politik dhe civil

    Reporteri
    28 Maj 2020 | 18:41

    Kryetarja e Kuvendit ka ndjekur një shembull qeveritar sa i përket shpenzimeve të telefonisë mobile, fikse dhe reprezentacionit. Ditë më parë, Qeveria Kurti zvogëloi këto shpenzime dhe sot të njëjtën e bëri edhe Kuvendi, me propozimin e Kryetares Osmani, shkruan Reporteri.


    Në komunikatën e dërguar, thuhet se Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me iniciativën e kryetares Osmani, miratoi vendimin për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë mobile, asaj fikse dhe reprezentacionit, si për stafin politik, ashtu edhe për administratën e Kuvendit. Në komunikatë nuk janë dhënë detaje se sa është ky zvogëlim në total.

    Po ashtu, sipas komunikatës, Kryesia njëzëri miratoi Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, e hartuar në koordinim me përfaqësuesit e mediave dhe miratimit paraprak të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), si dhe mbështetjen e NDI-së.

    Gjithashtu thuhet se u miratua edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për periudhën janar-mars 2020, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ndërsa kërkesa e KOSTT-it për miratimin e Planit të biznesit të rishikuar dhe të buxhetit të rishikuar për vitin 2020, u procedua në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!