×
  • Lajme
  • Lajme

    Pasi për gati një javë kishte prioritet fushatën në Shqipëri, sot kryeministri Kurti flet për programin e Qeverisë

    Reporteri
    12 Prill 2021 | 10:56

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se gjatë të shtunës e të dielës ka punuar me kabinetin qeveritar për të hartuar Programin Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme.


    Kurti ka thënë se qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe, sipas tij, me këto dokumente Qeveria do të jetësojë ndryshimin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Të shtunën dhe të dielen, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë. Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësur ndryshimin, kurse me punën tonë, qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim”, ka thënë Kurti.

    Ndërkohë, këto premtime dhe fjalë të Kurtit, vijnë gati një javë pasi ai u mor vetëm me fushatën në Shqipëri, ku postoi vazhdimisht duke përkrahur kandidatët e VV-së atje.

    Për këtë, kryeministri Kurti u kritikua nga Shoqëria Civile dhe nga opozita, të cilët thanë se kryeministri ka harru qytetarët e tij dhe po merret me zgjedhjet në Shqipëri. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se këto veprime tregojnë papjekuri dhe papërgjegjësi.

    “Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi”, ka thënë Abdixhiku.

    Ndryshe, ministra dhe deputetë të VV-së u panë gjatë fundjavës në Shqipëri, duke marrë pjesë në fushatë zgjedhore, pak ditë pasi në Kosovë hyn në fuqi masat restriktive për shkak të COVID-19./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!