×
  • Lajme
  • Lajme

    Pasnesër, 1 Prill, përfundon afati i Kurtit për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit

    Reporteri
    30 Mars 2020 | 19:35

    Pasnesër, më 1 prill, Qeverisë në shkuarje, i përfundon afati i përcaktuar nga vetë ekzekutivi, për heqjen e plotë të takes 100% ndaj mallrave Serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës dhe vendosjes së reciprocitetit ndaj dy vendeve.


    Pak ditë para se të shkarkohej në Kuvend, më 20 mars 2020, Qeveria e Kryeministrit në largim Albin Kurti, mori vendim që teksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës të hiqet pjesërisht.

    Vendimi lironte nga kjo taksë, e vënë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në fund të vitit 2018, importet e lëndës së parë nga Serbia e Bosnja dhe Hercegovina, shkruan Reporteri.net.

    I njëjti vendim i Kryeministrit Kurti, i aprovuar vetëm nga ministrat e partisë së tij, e i bojkotuar nga ministrat e ish-partnerit të koalicionit LDK-së, parashihte që Qeveria e Kosovës, tashmë e shkarkuar, deri më 1 prill 2020 të nxirrte një tjetër vendim.

    E ky vendim, që ende nuk është nxjerrë, do të duhej të shfuqizonte krejtësisht vendimin e Qeverisë së shkuar, për taksë ndaj mallrave serbe e boshnjake që hynë në Kosovë. Pra, prej pasnesër, e ashtu quajtura ‘Taksa 100%’, për të cilën Kosova e vendosi në kundërshtim me kërkesat e aleateve ndërkombëtarë për normalizim të raporteve me Serbinë, do të duhej të hiqej krejtësisht, shkruan Reporteri.net.

    Por, po ashtu, vendimi i nxjerrë para 10 ditës nga Qeveria Kurti, i kishte vënë afat vetes, që pasnesër të vendoste reciprocitet të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjës së Hercegovinës. Veprim ky, që po ashtu kundërshtohet nga aleatet e vendit, me thekës të veçantë nga SHBA-ja.

    Madje, ditë me parë, Richard Grenell – emisari special për dialogun Kosovë – Serbi i presidentit Trump, theksoi se Kurti e kishte shikuar në sy dhe i kishte premtuar heqjen e taksës. Kurti reagoi duke thënë se e shikoi dy herë në sy dhe i tha se e heq taksën por e vendos edhe reciprocitetin.

    Taksa në fakt e rrëzoi kryeministrin e dytë. Edhe mediat botërore kanë theksuar se mos heqja e takës ka bërë që Grenelli e Amerika të mbështesin rënin e Kurtit pas 50 ditëve, shkruan Reporteri.net.

    Por, deri më tani, Qeveria në largim e Kurtit nuk ka njoftuar për përgatitjen e ndonjë vendimi të tillë të paralajmëruar, sikurse as nuk ka njoftuar për ndonjë mbledhje të ekzekutivit të shkarkuar, për të marrë vendimet në fjalë.

    Krejt çka mbetet, është të presim deri pasnesër, më 1 prill 2020, për të parë nëse Kurti do të realizojë premtimin për reciprocitet që u dha votuesve të tij të 6 tetorit të vitit të shkuar.

    Ndryshe, më 24 mars të këtij viti, Qeveria Kurti u shkarkua me 83 vota në Kuvend, pas një mocioni mosbesimi të ngritur nga LDK-ja, 50 ditë pas krijimit të saj.

    Për mbajtjen e kësaj seance, përkundër se në kushte pandemie, mbështetje të plotë iu dha deputetëve edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett, përmes një postimi në Twitter, një natë para rrëzimit të Qeverisë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!