×
  • Lajme
  • Lajme

    Pavarësia në veri, serbët nuk duan e shqiptarët nuk mund të festojnë

    Reporteri
    17 Shkurt 2020 | 16:04

    Derisa në jug të qytetit të Mitrovicës dhe gjithandej vendit po shënohet 12-vjetori i pavarësisë, për serbët e veriut sot ka qenë një ditë e zakonshme.


    Ata kanë thënë për KosovaPress se jo vetëm që nuk festojnë, por as që janë në dijeni për këtë festë dhe një gjë e tillë as që ju intereson.

    Lubisha Dobriq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se nuk vjen në konsideratë që të festojë pavarësinë e Kosovës.

    Ai tha se për ta, Kosova është pjesë e Serbisë dhe ata kanë festuar para dy ditëve pavarësinë e shtetit të tyre.

    Nuk bëhet kjo punë, shtoi ai, që e njëjta festë të festohet dy herë në vit.

    “Jo, nuk e kam ditur, tani dëgjova nga ju, dhe as që më intereson. Çka të festoj, ditën e pavarësisë së Kosovës, jo nuk vjen në konsideratë. Ne kemi festuar pardje, ditën e Republikës së Serbisë”, ka thënë Dobriq.

    Edhe Millutin Periq, qytetar i veriut të Mitrovicës, tha se para dy ditësh ka festuar pavarësinë e Serbisë dhe se nuk mund të festojë dy festa të njëjta brenda vitit.

    “Sa i përket pavarësisë nuk e kam ditur fare. Unë kam festuar para pak ditësh, kështu që nuk mund të festoj të njëjtën festë dy herë. Kam festuar pavarësinë e Serbisë”, theksoi Periq.

    Ndërkaq, Adem Mripa, po ashtu qytetar nga veriu i këtij qyteti, sqaroi se shqiptarët në veri janë në një mënyrë të okupuar dhe akoma nuk kanë mundësinë për të festuar këtë festë siç festohet gjithandej vendit.

    “Në pjesën veriore nuk ka shenja të një feste të pavarësisë për shkak se ne ende jemi në një mënyrë të okupuar dhe ende nuk e kemi atë liri që ta ndjejmë kënaqësinë e pavarësisë”, tha ai për KosovaPress.

    Ai ka bërë thirrje për unitet kombëtar më shumë se kurrë, duke thënë se edhe në veri do të festohet kjo festë në të ardhmen, por pa parashikuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

    Në anën tjetër, në jug të Mitrovicës ku qyteti është stolisur me flamuj, qytetarët kanë dalë në numër të madh për të shijuar këtë festë, e cila përveç aktiviteteve të ndryshme gjatë ditëve të kaluara, sot u shoqërua edhe me koncertin e pavarësisë që u mbajt në qendër të qytetit, ndërsa u organizua nga komuna e Mitrovicës.

    Hasime Hasani, qytetare, potencoi se festat në Mitrovicë janë gjithmonë të mangëta, ngase shqiptarët në veri nuk kanë mundësinë e ndonjë organizimi sikurse në jug.

    “Në Mitrovicë gjithmonë festat janë të mangëta sepse për dallim nga veriu që është gjithçka qetë dhe shqiptarët atje nuk kanë ndonjë lloj organizimi, ne duhet të kënaqemi edhe me këtë që e kemi organizuar këtu në jug”, u shpreh Hasani.

    Ndryshe, në të gjithë vendin, komunat kanë organizuar aktivitete për të shënuar 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Prishtina ka qenë kryeqendra e ngjarjeve që kanë vulën e presidencës dhe qeverisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!