×
  • Lajme
  • Lajme

    “Pazari” për Presidentin, flet nënkryetari i VV-së

    Reporteri
    30 Tetor 2019 | 13:20

    Hyrja e Lutfi Hazirit në grupet punuese që po diskutojnë për marrëveshje koalicioni në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje veçse ka filluar t’i tregojë ndikimet e para.


    Deri në këtë nivel, kur tashmë është mbajtur një takim në mes të liderëve e tre të tjerë në mes të grupeve punuese për harmonizim të programeve nuk u diskutua as kush do të mbajë pozita udhëheqëse nëpër ministri, përveç se u fol për numrin e tyre. Kjo ndryshoi kur Isa Mustafa, lideri i LDK-së vendosi që në grupe punuese ta inkuadrojë edhe Lutfi Hazirin, të njohur mirë për deklaratat e tij anti Kurtit e VV-së.

    Haziri menjëherë e përmendi si pjesë të pazarit edhe pozitën e presidentit që do të zëvendësojë Hashim Thaçin. Nënkryetari i LDK-së, madje edhe parashikoi krizë nëse kjo nuk do të sqarohet.

    “Për të qenë marrëveshje funksionale duhet të sqarohen të gjitha pozicionet tash. Nëse nuk e sqarojmë tash pozitën e Presidentit ne po paralajmërojmë krizë në vitin 2021. Në Kosovë kur nuk janë pajtuar partitë për emër konsensual, na ka ardhur emri nga zarfa”, ka deklaruar mbrëmë Haziri.

    Për këtë temë, sot gjatë ditës ka reaguar në një përgjigje për Gazetën Express, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi.

    Bislimi ka thënë tashmë po flitet për programin qeverisës, e se pjesë të tjera nuk mund të përfshihen në grupet punuese që kanë ngritur dy partitë.

    “Ne jemi duke u dakorduar për programin qeverisës dhe matricën qeverisëse. Pjesë tjera nuk mund të përfshihen në këtë ambient”, deklaroi Bislimi.

    Nënkryetari i Lëvizjes tutje ka thënë se Haziri nuk mund të bëjë një kërkesë të tillë apo ta trajtojë në grupet punuese, por, ta drejtojë te kryetari i VV-së, Albin Kurti.

    “Në rast se bëhet një kërkesë e atillë ajo duhet të adresohet te z.Kurti dhe të trajtohet aty, por, jo nga grupet teknike apo z.Haziri”, është deklaruar ai.

    Gazeta Express nga burime të mirë informuara ka marrë vesh se pozita e presidentit të cilën po mundohet ta fus si temë diskutimi Lutfi Haziri, ishte dakorduar që të mos jetë pjesë e marrëveshjes në takimin e parë në mes të liderëve, Kurtit e Mustafës ku e pranishme kishte qenë edhe kandidatja për kryeministre nga LDK-ja Vjosa Osmani.

    Se LDK nuk do të heq dorë nga kjo pozitë ishte përmendur qysh prej kur Mustafa e kishte nominuar për kryeministre Vjosa Osmani. Për këtë pretendim madje i njëjti kishte folur edhe publikisht duke thënë se emërimin për president e sheh si nderë të veçantë. Edhe Haziri deklaroi mbrëmë se Mustafa i plotëson të gjitha kushtet për president.

    Lideri i LDK-së ka konfirmuar në një përgjigje për Express se Lutfi Haziri do të jetë pjesë e grupeve punuese, por, që sipas tij, kjo nuk do të ndikojë për probleme në arritjen e marrëveshjes së koalicionit mes dy partive.

    LDK dhe Vetëvendosje janë duke mbajtur takime në mes të grupeve punuese për harmonizim të programeve, pasi që të dolën si dy partitë më të votuara nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!