×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK përmes të akuzuarit për korrupsion sulmoi median për raportimin e vjedhjes së 2 milionëshit nga anëtari i saj

    Reporteri
    22 Tetor 2020 | 11:40

    Si për ironi, deputeti i PDK’së i akuzuar për korrupsion, Kujtim Gashi, mbrëmë, në një debat televiziv, sulmoi median duke e quajtur lajm të rremë raportimin e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ se i arrestuari për ‘avullimin’ e 2 milionë Eurove nga Thesari i Shtetit, Labinot Gruda, është anëtar i partisë së tij. Gashi insistonte ta mohonte bashkëpartiakun e tij, sikurse edhe PDK-ja përmes një komunikate të lëshuar pak pas raportimit, por faktet e publikuara po e tregojnë të kundërtën.


    Ish-Ministri i PDK’së për Kulturë, Kujtim Gashi, i akuzuar për korrupsion qysh në dhjetor të vitit 2019, për kohën as ishte Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren, mohoi një natë më parë bashkëpartiakun e tij të arrestuar për vjedhjen 2 milionëshe që ka ndodhur në Ministrinë e Financave.

    Ai tha se Labinot Gruda, i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, për skandalin e vjedhjes së Thesarit të Shtetit nuk ka asnjë lidhje me partinë e tij.

    Shkoi aq larg sa raportimin e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ për lidhjen e Grudës me PDK’në e quajti “lajm të rremë”.

    “Është mundësi e mirë që ta sqaroj një lajm të rremë që ka ndodhë sot në disa portale. Ta demantojmë një të pavërtetë, sepse zotriu që është arrestuar nga Policia e Kosovës as s’ka qenë e as s’është pjesë e strukturave të PDK’së”, tha Gashi në Debat Plus.

    Në vend të përgjigjes për PDK’në: Dëshmi, kur i arrestuari për ‘avullimin’ e 2 milionë Eurove të Thesarit mblidhte vota për Kadri Veselin, Memlin Krasniqin e të tjerët

    “Ai nuk ka qenë pjesë e PDK’së asnjëherë në jetën e tij”, tha ish-Ministri i PDK’së, sot deputet i kësaj partie.

    https://www.facebook.com/424389557572425/videos/1293403551052550/?__so__=channel_tab&__rv__=all_videos_card

    Por gjatë kohës sa Gashi po fliste në debat, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ publikoi me dëshmi të reja lidhjen e Grudës me PDK’në.

    Profili i Labinot Grudës, ish-Drejtorit të Financave në Komunën e Drenasit, e cila udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK’së, është i mbushur me postime e fotografi të partisë së Kadri Veselit.

    Madje, Gruda në një rast ka promovuar edhe top 5-shen e tij të preferuar të kandidatëve të PDK’së për deputet, duke kërkuar votën për ta. E në atë listë nuk mungonin as Kryetari i partisë Kadri Veseli e nënkryetari Memli Krasniqi.

    Sikurse se Kujtim Gashi, edhe vetë PDK’ja përmes një komunikate kishte mohuar së i arrestuari për vjedhjen e 2 milionë Eurove të Thesarit është anëtar i partisë së saj.

    Natyrisht, edhe vetë partia ishte marrë pak me median, në këtë rast Gazetën Online ‘Reporteri.net’ e cila bëri raportimin, të mërkurën pasdite.

    “PDK sqaron se zyrtari i arrestuar në Ministrinë e Financave nuk është dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, qytetarët e Drenasit e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë PDK-së”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në dhjetor të vitit të shkuar, kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ish-ministrit të MKRS-së, Kujtim Gashi, i cili mbrëmë sulmoi median.

    Aktakuza kundër Gashit që sot është deputet i PDK’së është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 në paragrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kishte njoftuar Prokuroria e Shtetit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Kujtim Gashi, gjatë vitit 2015 deri në tetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e kryesuesit të asamblesë komunale duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë juridik, tek dy televizione lokale TV “Besa” dhe TV “Opinion”.

    “I pandehuri K.G., pa procedurë të tenderimit lidh kontrata për transmetimin dhe ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, me TV “Besa” me datë 08.01.2015 në shumë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumë prej 1750 euro. Po ashtu, i njëjti ka lidhur kontratë me TV “Opinion” me datë 08.01.2015 në shumë prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale ndërsa pagesat janë autorizuar gjatë vitit 2015 dhe 2016 në shumë prej 6700 euro. Pagesa totale për këto dy televizione ka arritur shumën totale prej 8.450 euro në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik, Ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive si dhe Rregulloren e thesarit për shpenzimin e parasë publike”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës ndaj anëtarit të kryesisë së PDK’së.

    Aktakuza për “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Kujtim Gashi i PDK’së është konfirmuar në maj të këtij viti edhe nga Gjykata e Apelit.

    Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore e Prishtinës sot ka kërkuar paraburgim për Liridon Grudën, i cili dyshohet se mundësoi “avullimin” e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

    Përveç Grudes, për aferën e 2 milionëshit janë në ndjekje edhe dy persona tjerë, Kadri e Valon Shala, që ndodhen në arrati. I pari rezultoi të jetë anëtar i NISMA’s së Fatmir Limajt. E për këtë, kjo parti u distancua nga veprimi i bashkëpartiakut të saj biznesmen që raportohet të jetë larguar nga Kosova pas grabitjes në Thesar.

    Madje, për këtë, partia e Limajt mbrëmë shkarkoi nga detyra e këshilltares së zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimi vajzën e Shales, Hajrije Gashin. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!