×
  • Lajme
  • Lajme

    Pensionistët nuk janë të obliguar të lajmërohen në qendrat për vazhdimin e pensionit

    Reporteri
    16 Mars 2020 | 9:02

    Me qëllim të jetësimit të mëtutjeshëm të masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për lehtësimin e gjendjes së krijuar nga pandemia Corona Virusi Covid-19, ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi sot ka marrë vendim për masat e përkohshme për mbrojtjen e përfituesve të skemave pensionale.


    Në njoftim thuhet se këto masa janë vendosur duke marrë parasysh moshën dhe ndjeshmërinë e kësaj kategorie, dhe në asnjë mënyrë nuk cenojnë të drejtat e kësaj kategorie por janë favorizuese në këtë situatë.

    Masat e ndërmarra janë si në vijim:

    Pensionistët për një afat të pacaktuar nuk janë të obliguar të lajmërohen nëpër qendrat përkatëse për vazhdimin e pensionit.

    Aplikantët për përfitim nga skemat sociale nuk janë të obliguar të paraqiten për aplikim për një afat të pacaktuar, për riaplikim apo për seancat mjekësore, meqë të​ tillat janë pezulluar.

    Zbatimi i këtyre masave nuk do të dëmtojë përfituesit e skemave pensionale. Askujt nuk do t’i ndalet pensioni për shkak të moslajmërimit.

    Po ashtu, secili përfitues potencial do të përfitojë retroaktivisht nga skema, bazuar në datën e përfitimit të drejtës apo në datën kur kërkesa do të mund të dorëzohej në kushtet normale.

    Këto masa janë të natyrës së përkohshme. Për ndryshimet eventuale përfituesit e skemave do të njoftohen me kohë.

    Ministria e Financave dhe Transfereve apelon tek të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për kujdes të shtuar, sipas instruksioneve të institucioneve shëndetësore, pa shkaktuar panik për gjendjen e krijuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!