×
  • Lajme
  • Lajme

    Për një kosë bari paguan rreth 12 mijë euro me para të komunës, aktakuzë për shefin e kabinetit të Gazmend Muhaxherit

    Reporteri
    27 Qershor 2019 | 17:55

    Një makinë për kositje të barit që në treg kushton 2 mijë euro u ble nga Komuna e Pejës për 11 mijë e 924 euro. Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit, Durim Sheremeti bashkë me tre zyrtarë të komunës ia hoqën nga kuleta buxhetit komunal 9.929.41 euro. Ndaj tyre dhe personit që e dorëzoi makinën pa i plotësuar kushtet siç kërkohej në tender dhe me çmim gjashtëfish më të shtrenjtë, është ngritur aktakuzë. Skema e qitjes së nënshkrimeve që i kushtoi mijëra euro komunës u krye brenda një dite. 


    Në vitin 2017 Komuna e Pejës kishte planifikuar të blinte një makinë për mirëmbajtjen e barit artificial për qendrën sportive në Brestovik të Pejës. Aty specifikohej se kompania që do ta fitonte tenderin ishte e obliguar të sillte makinën për mirëmbajtjen e barit ashtu siç kërkonte Komuna. Pavarësisht kësaj, kompania e I.K që fitoi këtë tender, përmes njerëzve të Gazmend Muhaxherit, arriti ta shiste gjashtëfish më shtrenjtë një makinë që shërben vetëm për prerje të barit, e cila po ashtu nuk i shërben asgjë fushës për të cilën u dedikua. Me këtë rast është marrë Prokuroria e Pejës ku para dy javësh ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të komunës. Bëhet fjalë për Durim Sheremeti, G.L, R.Z, G.Sh dhe personit që fitoi tenderin I. K, që akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprës tjetër penale “Mashtrim”.

    Makina e dorëzuar është makinë për prerje bari e jo makinë për mirëmbajtjen e fushës me bari artificial.

    Në shtator të vitit 2017, D.Sh, si person zyrtar në pozitën e shefit të Kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, me dashje tejkalon kompetencat e veta në atë mënyrë që ka nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për qendrën sportive, Brestovik, në Pejë në vlerë prej 11. 924.11 eurove, pa pas mandat dhe kompetencë, në emër të menaxherit të projektit të lartë cekur, i cili pa pasur kompetencë të nënshkruaj në emër të F.Z, ka nënshkruar pranimin e makinës, të cilën menaxheri i projektit (F.Z) kishte refuzuar ta nënshkruante.

    Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Express, thuhet se I.K i kishte thënë menaxherit F.Z-së se nuk po i ndihmon me e kry punën, ky i ka thënë se ti mundesh me i ndihmu vetës, “bjere makinën sipas kërkesës dhe unë e nënshkruaj”.

    Megjithë kundërshtimet për ta nënshkruar që i bënte F.Z, D.Sh, tejkaloi kompetencat dhe e nënshkroi atë.

    Makina që kushton 2 mijë eurove u nënshkrua për 11.924,11 euro. Me këtë nënshkrim u dëmtua buxheti i Komunës për 9.929.41 euro. “Duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, I.K shumën prej 9.929.41”, thuhet në aktakuzë.

    D.Sh, ngarkohet me veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Vepër kjo që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës parasheh masën e dënimit prej 6 muajsh deri në pesë vite burgim.

    Zingjiri i bashkëpunimit për ta blerë këtë makinë vazhdoi përmes tre personave tjerë po ashtu zyrtarë të kësaj komune. G.L, R. Zh dhe G. Sh, si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, në veti të anëtarëve të komisionit mbi pranimin e mallit me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare…Pa e kontrolluar fare se malli (furnizimi) i pranuar a i plotëson kushtet e specifikuara në specifikimin teknik e cila është pjesë përbërëse e kontratës, pa prezencën e menaxherit F.Z dhe pa prezencën e furnizuesit nënshkruajnë pranimin e mallit.

    “Me çka secili veç e veç ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzë.

    I.K, pronar i firmës “Green Construction SHPK”, “me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti, i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, në vlerë prej 9.929.41 eurove…I njëjti nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës, e cila makinë me çmim të tregut kushton 2 mijë euro”, shkruan në aktakuzë.

    Ai ngarkohet me veprën penale të Mashtrimit. Vepër kjo që sipas Kodit Penal të Republikës së Kososvës parasheh masën e dënimit prej 3 muajsh deri në 3 vjet.

    Aktakuza qartëson se mjeti i barit duhet të përmbushë pesë kritere thelbësore” 1. Mjeti duhet të jetë lëvizës dhe të lëvizë në të gjithë sipërfaqen me ngasje të shoferit. 2. Mjeti duhet të ofrojë mundësinë për tërheqjen e fijeve, largimin e copave të mëdha, nivelizon granualtin në tapet, brushat me krye veprimin deri në 15 m.m, 3. Mjeti duhet të ofrojë mundësinë që ta thithë granualtin, ta pastrojë dhe ta shpërndajë, 4. Duhet të jetë në gjendje të veprimin edhe kur fusha është e lagur dhe kur ka erë (frymë). 5. Duhet të jetë i përshtatshëm për fusha të mëdha në sipërfaqe së paku 2000 metra katrorë.

    Mirëpo, makina e sjellur nga operatori ekonomik , i ka plotësuar vetëm një nga pesë kushtet e specifikuara. Po ashtu është deklaruar rrejshëm vlera reale e saj dhe origjina e prodhimit.

    D.Sh nuk e ka mohuar se ai ka vënë nënshkrimin në Raportin mbi pranimin e mallit në emrin e F.Z (menaxher i projektit).

    Pasi njëri prej anëtarëve të komisionit i kishte thënë se për ta bërë pranimin e makinës në Brestovik, prezentë duhet të jenë F.Z dhe operatori ekonomik I.K, D.Sh i kishte thënë se ata vetëm duhet ta bëjnë pranimin e makinës si makinë, pastaj karakteristikat dhe specifikat do i kontrollojë Faik Zeka.

    Krejt kjo është kryer brenda një dite.

    Në aktakuzë thuhet se D.Sh ka emëruar emëruar vetë anëtarin e komisionit G.L, ndërsa G.Sh-së i thënë se kryetari të ka emëruar në këtë komision.

    Megjithatë D.Sh ka deklarata krejtësisht të kundërta me të tre personat që nënshkruan raportin për pranimin e mallit.

    I.K ka pranuar pjesërisht se makina e sjellë nga ana e tij si operator ekonomik nuk është në përputhje me specifikat dhe parametrat e përcaktuara me tender në tender dhe kontratë.

    I.K e kishte dorëzuar makinën e barit në Brestovik. Mbikëqyrësi i asaj fushe i kishte thënë se makina e sjellur është makinë për prerjen e barit dhe nuk mund të përdoret në atë fushë.

    I.K i kishte thënë “Nuk është punë e jotja, ne makinën po e lëmë këtu, ka kush e kontrollon”, dhe e kishte lënë makinën.

    Gazeta Express ka konfirmuar në Gjykatën e Pejës se këta persona do të dalin para gjykatës seanca më 27 gusht në ora 10:00.

    Lidhur me këtë skandal Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim nga kryetari Gazmend Muhaxheri por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

    Pas ngritjet së aktakuzës, ka reaguar AAK e Pejës.

    Në reagimin e tyre thuhet se kjo aktakuzë vërteton akuzat e AAK-së se në Komunën e Pejës shkelet ligji me vetëdije.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!