×
  • Lajme
  • Lajme

    Përballje e kandidatëve për president: Haradinaj fton në debat Osmanin

    Reporteri
    14 Janar 2021 | 17:54

    Kryetari i AAK-së i cili synon postin e presidentit të Kosovës, Ramush Haradinaj i ka kërkuar debat televiziv kundërkandidates Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.


    “E ftoj kandidaten e re për presidente zonjën Vjosa Osmani në një debat televiziv dhe e mirëpres mundësinë që të debatojmë së bashku për ju”, ka thënë Haradinaj përmes një videomesazhi.

     

    Ndonëse zgjedhjet nuk do të jenë presidenciale, përmes tyre Haradinaj e Osmani synojnë ta zënë ulësen e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar.

    Osmani, e cila vazhdon ta ushtrojë pozitën e presidentes së vendit si kryeparlamentare, sot u paraqit në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilin në hollin e Kuvendit nënshkruan një marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhje. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, u bë e ditur se Osmani do të jetë e nominuara e LVV-së për presidente.

    Kurti tha se vendi ka nevojë për kryeministër të ri, por edhe për presidente të re, duke shtuar se Osmani e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet.

    “Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri, por edhe për presidente të re. Ne e kemi presidenten. Ajo e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet. E ka shprehur integritetin e instititucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje që janë referendum, duhet ta legjitimojmë këtë”, tha Kurti.

    Ndërkaq Osmani, që synon të mbes në Presidencë, tha se do ta kërkojë këtë pozitë pasi beson se uniteti i popullit që e përfaqëson presidenti fitohet duke kërkuar qëndrimin e qytetarëve.

    “Po, do të kandidojmë me Z. Kurti për kryeministër dhe për legjitimim të presidentes, pra, do të jem unë personi që do ta kërkojë këtë legjitimim, sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit dhe ky unitet më së miri sigurohet në qoftë se kthehemi te ky popull dhe kërkojmë mendimin dhe qëndrimin e tyre edhe rreth presidentit”, tha Osmani.

    Më herët, qëllimin për t’u bërë president e kishte shprehur Ramush Haradinaj. Ai donte të bëhej shef shteti qysh kur ish-presidentit Hashim Thaçi s’i kishte mbetur edhe shumë mandat. Kur Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, Haradinaj qëllimin e tij për të ardhur në krye të shtetit e bëri kusht për gjithçka ku kishte nevojë për AAK-në.

    Këshilli Drejtues i partisë së tij votoi unanimisht për ta nominuar Haradinajn për president. Kjo aspiratë e tij u bë kërcënim i hapur dhe serioz për jetëgjatësinë e Qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja, pjesë e së cilës ishte edhe partia e Haradinajt. Ai e kërcënoi disa herë partnerin e koalicionit se nëse nuk i jep mbështetje për t’u zgjedhur president, ai do t’i bashkohej opozitës për ta rrëzuar Qeverinë e për të shkuar në zgjedhje.

    Kërcënimi i Haradinajt ra me rrëzimin e Qeverisë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në dhjetor, e cila e shpalli Qeverinë të zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese, me ç’rast, vota determinuese e ish-deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë u konsiderua e paligjshme.

    Sidoqoftë, Haradinaj nuk hoqi dorë nga aspirata. AAK-ja, që zakonisht e kishte Haraedinajn kandidat për kryeministër, tani do të garojë pa ndonjë kandidat për këtë pozitë. Pozita që e kërkon kjo parti është ajo për të cilën ka shprehur dëshirë Haradinaj, atë të presidentit.

    Duke i prezantuar disa nga kandidatët për deputetë, Haradinaj sot u paraqit në një konferencë për media si president.

    “AAK do të kontribuojë në parlament dhe qeveri dhe me mua si president ta bëjmë Kosovën një shtet me të cilën krenohemi të gjithë dhe të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së. Nesër do të paraqesim listën e plotë të kandidatëve ku dy të tretat janë të rinj”, tha Haradinaj.

    Kujtojmë se dje kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj i ka b♪7rë thirrje Albin Kurtit që të ballafaqohen në 6 debate televizive.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!