Përfundon mbledhja e kryesisë, LDK nga 1 qershori nis zgjedhjet e brendshme

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku në konferencë për media ka bërë të ditur se është marrë vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme, shkruan Reporteri.net.

I pari i LDK-së tha se propozimin e sotëm, Kryesia do t’ia dërgojë Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, për të cilin njoftoi se do të mblidhet të premten.

“Kryesia e LDK-së ka marrë vendim në menyrë unanime që te shpall zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe që këtë propozim t’ia dërgojë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili do të mblidhet këtë të premte, për të formalizuar kështu zgjedhjet e rregullta të brendshme të LDK-së”, tha Kryetari i LDK-së.

Abdixhiku para gazetarëve tha se ky proces për LDK-në është festë, pasi si parti gjithmonë kanë besuar që demokracia është vlerë, e që besojnë ta manifestojnë edhe në këtë proces të brendshëm.

“Ky proces për ne është festë sepse gjithmonë LDK ka besuar që demokracia e brendshme është vlerë, vlerë identitare, si vlerë të cilën besojmë ta manifestojmë edhe me procesin tonë të brendshëm”, tha ai.

Kreu i kësaj partie gjithashtu bëri të ditur se sot në kryesi kanë aprovuar 7 parime të cilat do t’i paraqiten edhe Këshillit të Përgjithshëm dhe se procesi zgjedhor do të nis me 1 qershor dhe në vjeshtë pritet të përfundojë.

“Kemi aprovuar sot ne kryesi 7 parime të cilat do t’i paraqiten Keshillit të Pergjithshëm te LDK-së, dhe presim qe nga ky të nis procesi i brendshëm i cili nis me 1 qershor dhe në vjeshtë do duhej të përfundojë”, tha Abdixhiku në konferencë për media./Reporteri.net/