Dita e sotme është e fundit e periudhës transitore të Bankës Qendrore për çështjen e dinarit.
I pyetur se çfarë do të ndodhë pas kësaj date (11 maj) , kryeministri Albin Kurti gjatë javës tha “vjen 12 maji”.
Kurti u pyet në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën se a do të ketë plan konkret apo do të priten rezultate konkrete nga takimet e vazhdueshme të kryenegociatorëve në Bruksel për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Tha se nuk i përzihen BQK-së.
“Pas 11 majit, vjen 12 maji, e kështu me radhë, por konkretisht, lidhur me çështjen e dinarit, të cilin ne nuk e kemi ndaluar si të tillë, por si mjet pagese, dhe kjo është bërë nga Republika e Kosovës, jo nga Qeveria e Republikës, sepse është bërë nga Banka Qendrore e Kosovës me rregulloren e re, ata janë edhe më lart se ne, edhe para nesh në ecjen e mëtutjeshme. Pra, si për këto zgjedhjet që u organizuan në veri, kur e kishim KQZ-në, Komisionin Qendror Zgjedhor më lart se ne dhe para nesh, edhe për çështjen e dinarit, e kemi BQK-në, Bankën Qendrore të Kosovës më lart se ne dhe para nesh”, tha ai.
Kurti tha se “ka pasur përpjekje të vazhdueshme që vënë në një pozitë ku ai vendosë edhe për Bankën Qendrore të Kosovës, për vendimet e tyre, e kështu me radhë”.
“Kjo ndodh në shtetet diktatoriale, kjo ndodh në regjimet autoritare. Ne jemi shtet demokratik. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës është votuar në të njëjtën sallë ku jam votuar edhe unë. Ai nuk më raporton mua, ai i raporton Kuvendit të Republikës, prandaj nuk mundem unë t’i sipërvendosem guvernatorit. Ne duhet ta ruajmë Republikën tonë, ndarjen e pushteteve, që është thelbësore për demokracinë në vend. Prandaj, për çështje për të cilat ka vendosur Banka Qendrore e Kosovës dhe planet e zbatimit, me faza e afate, përgjigjen ata. Ne jemi për t’i mbështetur ata, jo për t’i udhëhequr ata”, tha kryeministri.
Çështja e dinarit ka sjell plot pesë takime në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Takimet deri tani kanë rezultuar pa një marrëveshje të palëve, përkundër që emisari evropian, Miroslav Lajçak është thënë se kanë përafërim të propozimeve me palët.
Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit, teksa një takim i ri është paralajmëruar për në maj.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.
Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik. Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro./Reporteri.net/
Pesë takime të dështuara për dinarin në Bruksel, së shpejti i gjashti