×
  • Lajme
  • Lajme / S'ka marrëveshje

    Përfundon takimi për dinarin në Bruksel, Bislimi e cilëson të dështuar

    Reporteri
    15 Maj 2024 | 18:04

    Ka përfunduar takimi në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, sërish, pa marrëveshje, shkruan Reporteri.net.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

    Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë, njofton Radio Evropa e Lirë.

    Bislimi, konfirmoi në konferencë se i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët në takim.

    “Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

    Ai i bëri këto deklarata pas një takimi trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky rund i ri i bisedimeve ishte vazhdim i përpjekjeve që palët të gjejnë zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

    Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por se “Prishtina i refuzoi të gjitha”.

    “Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Petkoviq.

    Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.

    Lajçak ka paraqitur para palëve një propozim, që në BE thonë se është “praktik dhe ofron një zgjidhje të përkohshme kalimtare”, por për propozimin nuk janë dhënë detaje.

    Takimi trepalësh sot ka nisur pak para orës 10:00.

    Mbi katër orë nga nisja e takimit trepalësh në Bruksel

    Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit. Pas takimit të fundit me 25 prill, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pas takimit akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!