×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Përmbytet garazhi nëntokësor në Fushë-Kosovë, banorët ankohen për cilësinë e punimeve

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 11:43
    Pamje nga një garazhë nëntokëse në Fushë-Kosovë

    Vërshimet e së dielës në Kosovë kanë shkaktuar dëme të shumta nëpër vende të ndryshme. Madje, shumë ndërtesa kolektive pësuan dëme të mëdha nga përmbytjet. Një lexues i gazetës online Reporteri.net ka dërguar një video në adresë të mediumit, ku shihet garazha e përmbytur nga reshjet e mëdha.

    Në një garazhë nëntokësore në një ndërtesë në Fushë-Kosovë, e njohur si objekti 41, objekt i ndërtuar nga kompania Model-Slovenia, sa herë që ka reshje shiu, ka edhe bllokadë totale. Një lexues i gazetës online Reporteri.net e ka dërguar një video duke shprehur shqetësimet e veta se sa herë bie shi, garazha nëntokësore mbushet dhe askush nuk intervenon.

    Personi në fjalë, emër i njohur për redaksinë, ka thënë se banorët disa herë janë ankuar te kompania për të bërë ndërhyrje pasi reshjet e mëdha po shkaktojnë përmbytje, por asnjëherë s’është intervenuar.

    Videoja e mëposhtme tregon qartë se si është mbushur garazha dhe uji nuk depërton në kanalizim.

    Ai ka thënë në kushte anonimiteti për gazetën Reporteri se ka pasur probleme qysh nga mbrëmja e së dielës për shoferët për të depërtuar deri te veturat.

    Lexuesi, mes tjerash, ka thënë se kjo garazhë nuk i plotëson as kushtet elementare për të qenë e tillë pasi qysh prej fillimit garazha nuk ka qenë e ndërtuar cilësisht, madje as nuk është e shtruar me materialin që parashihet nëpër garazha.

    “Gjithmonë, verë e dimër, aty bëhet baltë, pluhur, mbushet ujë, vie era e keqe prej kanalizimit, e shpesh herë uji futet edhe në ashensorë. Kjo madje është e rrezikshme për qytetarët. Askush nuk po vjen me ndërhy edhe me rregullu si duhet. Kur e kam blerë më kanë thënë që ende do të intervenohet sidomos në pjesën e garazhës por gjendja ka mbetur e njëjtë”, ka thënë lexuesi në kushte anonimiteti.

    Vërshimet e së dielës në Kosovë kanë shkaktuar dëme si në rrugë ashtu edhe në prona private./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!