×
  • Lajme
  • Lajme

    Peticionin e SBASHK-ut do ta dorëzojnë në Kushtetuese

    Reporteri
    20 Janar 2020 | 9:34

    Me rastin e pezullimit të përkohshëm të ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese sipas kërkesës së Avokatit të Popullit, ligj i cili do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti, pati shumë reagime dhe pakënaqësi nga sindikatat e disa institucioneve publike.


    Reagime të menjëhershme kishte nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, të cilët e filluan me anë të nënshkrimit të një peticioni kundër vendimit të pezullimit të ligjit të pagave dhe me këto nënshkrime do t’i drejtohen Qeverisë në detyrë dhe Avokatit të Popullit.

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari thotë për KosovaPress, se nënshkrimet e peticionit kundër vendimit për pezullimin e ligjit të pagave janë duke u mbledhur dhe se shumica e komunave i kanë dorëzuar. Ata kërkojnë nga Avokati i Popullit, që në emër të gjithë atyre mijëra nënshkrimeve t’i drejtohet kushtetueses që ta pezulloi, gjegjësisht ta heq vendimin që e ka bërë për pezullimin e ligjit të pagave deri në fund të muaj mars, ngase sipas tij, ky afat konsiderohet shumë i gjatë.

    “Kishte telashe dhe shqetësime të mëdha, me rastin e pezullimit të ligjit për paga nga kushtetuesja. Ne biseduam me anëtarët tanë dhe ata mbase duke qenë të vetëdijshëm karshi situatës, lindi një ide spontane që t’i mbledhim nënshkrimet dhe t’i drejtohemi edhe Qeverisë në detyrë, edhe Avokatit të Popullit, që ai ashtu si ka vepruar me ato ankesat që i kishte 35, të veproj njëjtë edhe me ankesat tona, pasi që ne jemi popull, ai është avokat edhe i yni, me kërkesën që ai t’i drejtohet në emër të gjithë atyre mijëra nënshkrimeve, kushtetueses që ta pezulloj gjegjësisht ta heq, ta revokojë vendimin që e ka bërë për pezullimin e ligjit të pagave deri në funde të marsit, ngase e konsiderojmë se është një afat kogja i gjatë dhe po them te sektori i arsimit, jemi të sigurtë që as kushtetuesja nuk do të gjej diçka që është kundër ligjit dhe kundër Kushtetutës. Nënshkrimet janë duke u mbledhur, shumica e komuna ve i kanë dorëzuar” thotë Jashari.

    Jashari theksoi se janë “pro” zbatimit të ligjit të pagave dhe po u kthye ligji në zero do të kemi telashe shumë të mëdha.

    Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i tha KosovaPress-it, se e ka pranuar kërkesën e SBASHK-ut, për ndryshim kundër vendimit të përkohshëm të pezullimit të ligjit të pagave.

    “Është një kërkesë që është parashtruar te ne, me nënshkrimet e peticionit që vjen nga Sindikata e Arsimit dhe nga e cila është kërkuar që ne si institucioni i Avokatit të Popullit ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese këtë kërkesë për ndryshim dhe masa të përkohshme, megjithatë është kërkesë që është përcjellur te ne dhe sipas një mandati ligjor që kemi të njëjtën gjë mundemi me e përcjell në Gjykatën Kushtetuese dhe tani më veç jemi në përgatitje për me e përcjell në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë kjo nuk e ka pengu në asnjë moment Sindikatën e Arsimit që si palë e tretë drejtpërdrejte ta përcjell këtë kërkesë te Gjykata Kushtetuese, për ne nuk paraqet problem, është një kërkesë që duhet të përcjellur në Gjykatën Kushtetuese, pastaj sigurisht që është në kompetencë të plot të kushtetueses për ta shqyrtuar”, tha Jashari.

    Sipas Jasharit, duhet t’i japim hapësirë Gjykatës Kushtetueses të marrë vendimin e duhur sa i përket kësaj çështje.

    Kurse, Haki Shatri, këshilltari i Kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, nëpërmjet një telefonate, tha për KosovaPress, se roli i qeverisë në detyrë në këtë fazë të zhvillimeve nuk ka efekt. Sipas tij, Qeveria e ka përfunduar këtë proces dhe kjo çështje ka kaluar në instanca të tjera që lidhen me drejtësi dhe tash ka kaluar te Gjykata Kushtetuese. Sipas Shatrit, organizimi i grupeve të interesit ka qenë i ditur për shkak se dikujt i konvenon ai ligj e dikujt jo, por që qeveria në detyrë nuk mund të marrë vendim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

    Ai shtoi se ligji duhet sa më shpejt të finalizohet sepse të gjitha përgatitjet për implementimin e ligjit kanë qenë në rregull, si buxheti, ashtu edhe listat e pagave e të gjitha procedurat e nevojshme.

    Shatri theksoi se janë kujdesur që edhe nëse nuk bëhet funksional ligji i pagave, mos të pengohet forma e vjetër e procedimit të pagave në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët.

    Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, i FSSHK-së Blerim Syla dhe kryetarja e SPK-së , Valbona Kamberi, ditë më parë janë takuar edhe me kryetarin e parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku para tij kanë shprehur shqetësimet e tyre në emër të mijëra anëtarëve që përfaqësojnë duke kujtuar se pas zhgënjimit që ndodhi lidhur me ligjin e pagave, nëse ndodh që të mos ketë as ligj të buxhetit dhe procedim të pagave, atëherë, situata do të jetë tepër e tensionuar dhe mund të ndodhin edhe veprime e reagime nga më të ndryshmet.

    Konjufca në këtë takim u ka thënë sindikalistëve se ka shqyrtuar me ekspertë mundësitë eventuale që Kosova ta ketë ligjin e buxhetit për vitin 2020, për të mos ardhur në situatën e mbetjes pa paga të mijëra të punësuarve në sektorë të ndryshëm, por në situatën aktuale, pa qeverinë e re, mundësitë për të pasur një ligj të buxhetit janë të vogla. Ai është shprehur se do të bëj gjithë angazhimet që në bashkëpunim me gjithë palët tjera të gjejnë një zgjidhje të lejuar ligjërisht.

    Ndryshe vendimi për pezullimin e përkohshëm të ligjit të pagave është marrë nga Gjykata Kushtetuese me kërkesën e Avokatit të Popullit, pas 35 ankesave për këtë ligj, në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020./kp

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!