Pezullohen seancat gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, shkak COVID-19

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, ka marr vendim për pezullimin e mbajtjes së seancave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me përjashtim të disa rasteve të caktuara, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.


A do të fillojë Kosova mjekimin e pacientëve me gjakun e të shëruarve nga COVID-19?
“Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi, sot ka mbajtur takim me Trupën Menaxhuese të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e themeluar sipas Planit të Veprimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Menaxhimin e Krizave”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, në takim u diskutua lidhur me gjendjen e fundit të krijuar në gjykatë, pas konfirmimit të disa rasteve pozitiv me virusin Covid-19.

“Trupa Menaxhuese e kësaj gjykate, bazuar në rekomandimet e IKSHP-së dhe situatën e krijuar vendosi të pezullojë mbajtjen e seancave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përveç në rastet e natyrës urgjente ku ka të bëjë me lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, rastet e dhunës në familje, lëndët me paraburgim, caktimi i masave të sigurisë si dhe lëndët ku rrezikohet procedimi i tyre nga fillimi, për shkak se mund të kalojnë tre muaj nga seanca e fundit e mbajtur.”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.

Sipas të njëjtit, ky vendim nuk vlen për degët e Gjykatës Themelore të Prishtinës, atë në Podujevë, Graçanicë, Lipjan dhe Drenas.

Bëhet e ditur se, këto masa do të mbesin në fuqi deri në normalizimin e situatës pandemike në Gjykatën Themelore në Prishtinë.