×
  • Lajme
  • Lajme

    Pjetër Ndrecaj që vrau gruan dhe vajzën i kërkon gjykatës dënim më të lehtë

    Reporteri
    29 Janar 2021 | 13:40

    I dënuari me 24 vite e gjysmë për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, për herë të dytë po kërkon nga Gjykata e Apelit anulimin e vendimit të shkallës së parë, apo kthimin e rastit në rigjykim.


    Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë përsëri ka kërkuar që i akuzuari Ndrecaj të dënohet me burgim të përjetshëm, pasi sipas kësaj prokurorie, dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë ishte i ulët.

    Ndrecaj fillimisht ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë më 2 nëntor 2018, me 24 vjet burgim efektiv për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, por Gjykata e Apeli, në mars 2019, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm.

    Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës i kishte prishur të dyja aktgjykimet dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

    Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Gjakovë, për të dytë herë, e kishte gjetur fajtor Ndrecajn, duke e dënuar me 24 vite e 6 muaj burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

    Ndrecaj për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte dënuar me një vit burgim, ndërsa për vrasje me 24 vite burgim. Mirëpo, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 24 vjet e gjashtë muaj burgim.

    Të pakënaqur me këtë vendim, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ndrecaj, avokati Ndrec Dodaj.

    Këto ankesa të palëve janë shqyrtuar të premten nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në ankesën e saj, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se vendimi i shkallës së parë ishte i butë dhe sipas kësaj prokurorie, gjykata ishte dashur të marrë vendim më të lartë si ai me burgim të përjetshëm, duke pasur parasysh reagimin e opinionit publik.

    Ankesë lidhur me vendimin mbi dënimin ka paraqitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj, që sipas tij vendimi i shkallës së parë ishte shumë i butë, pasi bëhej fjalë për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së mitur.

    Për shkak të shkeljeve esenciale të Kodit të Procedurës Penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal, ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ndrecaj, avokati Ndrec Dodaj.

    “Mbes pranë pretendimeve të ankesës, fokusi në këtë ankesë ka pasur të bëjë me dashjen, e kam hapur dilemën se a ekziston dashja direkte apo jo për shkak se ekspertiza nuk ka qenë e plotë, nuk iu kanë referuar rrethanat që i ka kërkuar vet gjykata, edhe pse ekspertiza është dhënë nja një ekspert që vërtetohet se i pandehuri ka pasur probleme të kësaj natyre edhe para 2016-es , të gjitha këto janë abstrahu, ka edhe tejkalime tjera që i ka bërë shkalla e parë sidomos të dashja e fëmijës, sepse kemi të bëjmë me një viktimë të një moshe shumë të re, ndaj të cilit nuk ka pasur asnjë qëllim, ka dilema shumë të mëdha se a ka të bëjë me dashje direkte apo ka defekte rreth dashjes direkte tek vrasja e bashkëshortes, ndërsa tek vrasja e fëmijës në asnjë provë nuk është vërtetuar se ka pasur dashje”, ka thënë avokati Dodaj.

    Ndërsa, i akuzuari Pjeter Ndrecaj ka mbetur në tërësi pranë kërkesës së ushtruar nga mbrojtësi i tij.

    Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

    Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.

    Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!